Aktualitet Lajme Lajmi i Fundit Politikë

Majko i tregon të gjitha: Zgjedhjet janë blerë…

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, tha dje se nëse Gjykata Kushtetuese do të rrëzojë si antikushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

I ftuar në emisionin “Top Talk”, Majko i kërkoi opozitës që të dalë me një zë brenda asaj që është në Parlament dhe jashtë Parlamentit për Reformën Zgjedhore, më pas të ulet në dialog me maxhorancën.

Ndërkohë që Kosova po bën zgjedhje, ne po përpiqemi të bëjmë një Reformë Zgjedhore, por, në fakt, deri tani mbetet në një përpjekje. Palët flasin se duan Reformë Zgjedhore, por opozita ka dalë me disa kushte dhe thotë se ne i duam këto.

Duhet të shohim se nga ç’pikë kemi ardhur për të thënë se ne po diskutojmë në tavolinë siç ishte tavolina e organizuar nga OSBE-ja dhe Komisioni i Reformës Zgjedhore për të filluar me gjasë një negociatë, mirëpo tani ne kemi një problem që është fakti se ne kemi dy opozita. Kemi dy opozita që kanë një nervozizëm goxha të theksuar.

Përjashtojnë njëratjetrën në njëfarë mënyre?!

Mbase, mbase, por realiteti është ky, që opozita, e cila është jashtë Parlamentit, nuk e llogarit opozitën, e cila është brenda Parlamentit dhe ajo nuk është opozitë që e shpiku PS-ja, por erdhi nga listat, qoftë nga PD, qoftë edhe nga LSI. Kjo nuk është nga malli, por është nga halli.

A është një zhvillim dhe një emancipim politik qëndrimi që ka mbajtur kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, duke pranuar se djegia e mandateve ishte një vetëvrasje?

Mendoj se kjo braktisje e sistemit kushtetues nuk ishte vetëvrasje politike, por nxitje për të çuar sistemin në një vetëvrasje politike. Ne do të detyroheshim të hynim në një situatë të turbullt pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa Reformë në Drejtësi të plotë. Do të shkonim rrokopujë, një zot e di se ku, nëse do të shtyheshin datat e zgjedhjeve pa mbarim dhe nëse ne nuk do të kishim hyrë në zgjedhje më 30 qershor.

Po si do mundet të dalim nga kjo histori ku kemi hyrë?

Edhe nga ato që janë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe nga ato që le t’i quajmë kushte të Bundestagut, thuhet qartë se Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë legalitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit në esencë shteruese.

A jeni përgatitur për një opinion pozitiv ndaj asaj që quhet një vendimmarrje politike?

Nëse do të më pyesni mua?! Absolutisht, jam përgatitur edhe për opinion pozitiv dhe këtë po ta them kështu në 98% të balancës. Por ajo që fola në Parlament për rezolutën e Bashkimit Europian, thashë në qoftë se Gjykata Kushtetuese do të hedhë poshtë rezultatin e 30 qershorit, atëherë ne duhet të shkojmë në zgjedhje.

A ekziston vërtet në Partinë Socialiste ky lloj opinioni?

Jo, jo, s’ka çfarë opinioni, do të shkojmë direkt në zgjedhje. Domethënë, sikur nesër të shprehet Gjykata, pasnesër shkojmë në zgjedhje.

Por a mund të shkojmë në zgjedhje me këtë sistem që kemi? Ju doni një sistem të ri? Pra, si Parti Socialiste flas në këtë rast. A i duhet Shqipërisë një sistem i ri politik për përfaqësimin që kemi në Parlament?

Ne kemi një opozitë që ka një problem të madh me veten. Ajo duhet të heqë një herë atë inferioritetin se mos dikush i thotë se përse po uleni në dialog me Partinë Socialiste.

Me Edi Ramën është problemi, jo me PS-në

Ore, e kemi vuajtur edhe neve këtë kur ishte Sali Berisha. Ka ndodhur edhe me PS-në kjo. U dukej sikur të ishte ndonjë nam i madh po të uleshe me Sali Berishën në tavolinë. A thua se ishte gogoli ai që do na kafshonte dhe do ngordhnim. Problemi është që nuk ishte një histori e tillë. Politika kërkon negociata dhe tani kjo kulturë politike ekziston në politikën shqiptare.

Ju keni qenë konsistent duke kërkuar dialog politik, por opozita ka kërkuar që dialogu të drejtohet nga ndërkombëtarët!

Po, për çfarë na duhen?!

Pra, ju jeni kundër kësaj teze?

Po mirë, ne nuk jemi ulur akoma bashkë, nga e dinë ata që ne nuk do të merremi vesh me njëri-tjetrin?

Sepse ata nuk kanë besim te ju!

Problemi është që, po themi për reformën e pushtetit lokal, ne u dhamë të drejtën e vetos dhe nuk e pranuan. Dhe sot ata kanë një ndarje të pushtetit lokal që e kemi bërë ne, nuk e kanë bërë ata. Dhe po të ishin futur me logjikën e vetos, nuk jam dakord edhe pikë, do të kishim sot një situatë negociuese. Tani marrëveshja që e ngacmon PD nuk është kjo që po flasim, por ajo e postçadrës, ku ekziston një sensautokritik: më gënjeve një herë, fajin e ke ti, dhe po më gënjeve për herë të dytë, fajin e kam unë. Në moshë për t’u gënjyer janë të dy… Njëri nga diaspora e Francës dhe tjetri nga diaspora e Holandës. Rastësisht, dy shtetet që na bllokuan negociatat. Ky është humor! (Këtë e themi me kolegët. Ngaqë kanë njohur këta të dy, nuk na i hapin negociatat). Por tani të vijmë te logjika. Nuk ka, fajin e ke ti, fajin e kam unë, por do të ulesh në tryezë me atë tjetrin, sepse e gjithë kjo histori batutash, jo karroca, jo treni, ku di unë, është kthyer politika në një histori metaforash. Dhe thua që ke të bësh me humor nga “Portokallia” apo me politikanë që diskutojnë të ardhmen e vendit?! Tani, të dyja palët duhet të ulen dhe të shikojmë sesi do të funksionojnë. Do të diskutojnë sistemet zgjedhore, do e ndryshojnë apo s’do e ndryshojnë, vota e emigrantëve, do e pranojnë apo s’do e pranojnë?! Por nuk e pashë në këtë dokumentin e fundit të opozitës, por megjithatë nuk dua të bëj provokim të vogël, sepse parimisht të dyja e kanë pranuar në fillim. Nëse biem dakord në parim se çfarë do të diskutojmë, atëherë le të ulemi. Por ajo që më shqetëson mua është, a ka sot opozita një opinion solid përballë maxhorancës?! Nëse maxhoranca do të ulet pa ndonjë problematikë diferencash opinionesh në radhët e veta, ne duhet të pranojmë që brenda opozitës ka disa probleme. Ka një nervozizëm të opozitës parlamentare se përse ulemi me atë joparlamentare. Tani vemi te tjetra që do ndryshojmë sistemin apo jo. Kemi një PD që thotë detaje teknike dhe një opozitë që kërkon ndryshim rrënjësor të sistemit. Tani do të ulemi për detaje teknike apo ndryshim të sistemit?! PD duhet të ulet dhe ta qartësojë mes tyre këtë punë dhe jo ta harrojnë nëpër gojë. Dhe në këtë sens, përpara se të kemi një dialog mes maxhorancës dhe opozitës, por një dialog mes opozitës. Ka PD raste, kur njeriu më kokëfortë është Berisha, dhe ka thirrur njerëzit që i ka luftuar politikisht dhe ka fituar zgjedhje.

Është ky një mesazh për Berishën që të ndikojë Bashën që të ulet në dialog?

Jo, është thjesht një paralele historike, sepse një parti që është në vështirësi, duhet të kthejë kokën edhe nga precedentët që ka krijuar vetë në histori që të mos ngelet në një status-quo, e cila të gjithëve nuk i bën mirë. Kjo negociatë kërkon një mënyrë jo tradicionale të sjelluri. Sepse kjo krizë, pra, një vendimmarrje e gabuar për djegien e mandatit, si pasojë e një vendimmarrje të gabuar. Tani kanë një palë shumë të interesuar që siç kanë interesin e vet e kështu me radhë, nuk mund ta vazhdojmë këtë histori politike sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Deri tani kemi folur vetëm për opozitën, por vetë maxhoranca nuk ka asnjë përgjegjësi politike për atë se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e 2017-ës?

Më fal, ti mendon se në Shqipëri nuk e dinë njerëzit që sa herë është shitur vota, sa herë është blerë vota e sa herë është vjedhur vota?! Ky nuk është relativizim. E kemi thënë që ka pasur raste në disa zona se mesatarja ka qenë 50 euro dhe si pasojë e përplasjes së egër, ka shkuar deri në 100 euro. Tani, ju thoni se si ndodhi që PS mori ca të fortë? Sepse ishin ca të fortë që na rrihnin komisionerët. Dhe si çdo aksion ka një kundëraksion. Zgjedhjet janë blerë për shtatë palë qejfe në Shqipëri. Turpi më i madh është që hajduti të bërtasë për vjedhje.

Related posts

Shikoni çfarë humbi Mbappe në minutën e 82

Christian news

OSBE i kthen përgjigje Metës: Dialogut i suksesshëm vetëm me …

Klaudia gotanews

Parashikimi i motit, e premte 17 Maj 2019

Xhensila Gotanews
Na Kontaktoni!