HomeSociale

Manastirliu: Intensifikim testimesh për gjurmimin aktiv të rasteve


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka vizituar nga afër Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Ajo tha se puna nuk ka ndalur për asnjë orë të ditës dhe të natës për të patur rezultatet në kohë reale.

“Puna nuk ka ndalur për asnjë orë të ditës dhe të natës për të patur rezultatet në kohë reale, për të analizuar të gjithë territorin e vendit, për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet e shëndetësisë. Ne sot jemi në rreth 190 raste aktive, të cilat janë të shpërndara në 4 qarqe kryesore, por nga ana tjetër ajo çfarë nevojitet është vijimi i testimit dhe vijimi i gjurmimit të kontakteve të rrethit të parë, të rrethit të dytë, ashtu siç tashmë edhe në strategjinë e miratuar nga Komiteti i Ekspertëve është përcaktuar dhe është ndjekur”, tha Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se, në fazën e rihapjes, do të intensifikohet testimi për gjurmimin aktiv të rasteve, ndaj edhe janë marrë të gjitha masat për forcimin e kapacieteve në Laboratorin e Referencës në ISHP.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ky laborator do të vijojë të ofrojë të njëjtin standard dhe do të jetë edhe në vijim i furnizuar, pasi çfarë kemi bërë deri sot është që kemi qenë në një linjë me strategjinë e miratuar edhe me të gjithë rekomandimet e strukturave ndërkombëtare. Çfarë duhet tashmë nga ky moment dhe në vijim është forcimi i kapaciteteve të laboratorit të Insitutit të Shëndetit Publik për të vijuar dhe për të patur testime, për të gjurmuar dhe për të izoluar çdo rast të dyshuar”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Ministrja deklaroi se edhe në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë kryer deri tani mbi 1 mijë testime tek personeli shendetesor.

“Nga ana tjetër kemi vijuar me testimet e serologjisë për evidentimin e krijimit të antitrupave tek grupet e riskut. Janë më shumë se 1 mijë personel shëndetësor të cilët kanë kryer analizën serologjike. Rreth 8% e tyre kanë krijuar antitrupa, pra rezultojnë 8% që kanë IGG positive”, tha Manastirliu.

Gjithashtu Manastirliu bëri apel që në këtë fazë të rihapjes të rritet vigjilenca e strukturave dhe të përmirësohet sistemi i informacionit me të gjithë spitalet e vendit, për të mundësuar që në kohë reale testimin e rasteve, gjurmimin dhe izolimin e tyre.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME