HomeSociale

Manastirliu: Nga e hëna do të kryhet një testim i ri serologjik

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu sot inspektoi laboratorin e dytë për zhvillimin e testimeve për koronavirusin, ku do të nisë edhe një testim i ri serologjik.

Manastirliu tha se testim i ri serologjik do të nisë të kryhet nga e hëna, për grupet e rrezikuara, duke filluar nga personeli mjekësor, ndërsa shtoi se testimi serologjik do të kryhet në QSUT por nën lidershipin e Instutit të Shëndetit Publik.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri”.

Manastirliu tha se prioritet mbetet mbrojtja e personelit shëndetësor.

“Dua të them që mbetet prioritet për ne mbështetja dhe mbrojtja e stafit tonë të shëndetësisë. Prandaj dhe ky testim serologjik për të vlerësuar krijimin e antitrupave do të fillojë në grupet më të riskuara që janë personeli mjekësor dhe gjithashtu grupet që janë në shërbime siç janë policia e shteti e të tjerë”, tha ministrja.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME