HomeSociale

Manastirliu njofton masat e reja anti-Covid

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se Task-Forca anti-COVID do të vijojë intensifikimin e kontrolleve në terren me kapacitete të shtuara, 24 orë në 7 ditë të javës, për zbatimin e masave dhe protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Ministrja u shpreh se situata në të cilën ndodhemi është serioze, ndaj nuk mundet të tolerohet asnjë neglizhencë e bizneseve për moszbatimin e masave dhe protokolleve.

“Jemi në një situatë serioze, ku moszbatimi i masave dhe rregullave nga bizneset cenojnë shëndetin e popullatës, pasi ndikon në përshkallëzimin e infeksionit. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë neglizhencën. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë marrëzinë për të mos iu përgjigjur protokolleve dhe rregullave. Nuk mundemi dot të bëjmë një sy qorr dhe një vesh shurdh, kur shohim që masat nuk zbatohen në një biznes dhe ata të cilët shërbejnë nuk mbajnë maskë, kur shohim që në restorante ka një grumbullim përtej masës së lejuar dhe kur në supermarket shërbejnë pa vendosur maskat”.

Gjatë inspektimit në terren e shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm të policisë, Manastirliu paralajmëroi ashpërsimin e masave për shkelësit e ligjit.

“Do të shtojmë grupet e inspektimit dhe kontrollet në qytetet që konsiderohen vatra për arsye të numrit të të prekurve, por gjithashtu për gjatë gjithë bregdetit do të vijojmë me kapacitete të shtuara sa i përket inspektimet, verifikimit të protokolleve dhe masave dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për të gjithë ata të cilët nuk zbatojnë protokollet. Nuk ka më këshillime por do të vijohet me gjobat dhe mbyllje e aktivitetit për shkeljet e përsëritura. Askush nuk e do këtë, por kjo është për të mirën e shëndetit të gjithësecilit”.


TË NGJASHME