HomeSociale

Manastirliu: T’i japim dorën profesionistëve të shëndetit

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një takim me epidemiologët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë.

Ajo ka shprhur mirënjohje për epidemiologët, që ndodhen në terren në këto ditë të vështira, për të gjurmuar rastet me koronavirus.

“Po bëhet një punë organizative nga të gjithë strukturat e njësive vendore të kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë”. Kemi 9 grupe të cilat janë organizuar nga strukturat vendore të kujdesit shëndetësor të Rajonit të Tiranës, të cilat janë duke punuar 24 orë në 7 ditë të javës, për të evidentuar, për të gjurmuar, për identifikuar dhe për të bërë gjithë hetimin epidemiologjik, për t’i dhënë gjithë informacionin e nevojshëm Institutit të Shëndetit Publik e më pas për të marrë ato të dhëna të cilat janë të rëndësishme për të kuptuar situatën në terren, në mënyrë që ne të jemi shumë më të qetë për të marrë vendimet e duhura përsa i përket vijimit të masave shtrënguese”, tha Manastirliu.

Gjatë takimit me epidemiologët, Manastirliu tha se pavarësisht lehtësimit me pikatore të masave shtrënguese, duhet te vijojë respektimi i masave te vendosura për të kufizuar shpërndarjen e virusit.

“Sigurisht është bërë një lehtësim shumë me pikatore përsa i përket masave shtrënguese, duke zgjeruar dhe fashën e lëvizjes nga ora 5 e mëngjesit në orën 17:30 të pasdites në një limit prej 90 minutash. Por dua të theksoj edhe njëherë që asgjë nuk ka ndryshuar nga rregullat e mëparshme. Duhet të vijojmë të ruajmë distancimin fizik, duhet të vijojmë që të mbajmë higjienën personale dhe të moshuarit duhet të vijojnë të rrinë në banesë”, tha Manastirliu.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ Manastirliu tha se të gjithë bashkë duhet t’i japim një dorë profesionistëve të shëndetit, për të frenuar këtë armik të padukshëm.

“Epidemiologët në strukturat tona të Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, me sakrificë, këmbëngulje e profesionalizëm, pa njohur orare, gjurmojnë çdo ditë rastet në terren, duke bërë të pamundurën për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të COVID19. T’i japim të gjithë një dorë profesionistëve të shëndetit, për të frenuar këtë armik të rrezikshëm. #Bashkë mundemi, nëse respektojmë masat e distancimit fizik!”, shkruan Manastirliu.


TË NGJASHME