HomeSport

Manchester United-Liverpool, ja ndeshjet që do të luhen sot

Kjo e dielë e ka vëmendjen e super ndeshjes Manchester United-Liverpool. Klubi nga Merseyside ka një rast të shkëlqyer për të siguruar një fitore që i mungon “të kuqve” që nga marsi i vitit 2014, kur ekipi drejtohej nga Brendan Rodgers.

Një mundësi shumë e mirë për të zhytur në një krizë akoma më të thellë rivalët më të urryer në historinë e klubit, por mbi të gjitha edhe një rast i artë për të marrë hak për barazimin pa gola të vitit të kaluar, që me shumë gjasa i kushtoi titullin skuadrës së drejtuar nga Jurgen Klopp. Në harkun e vetëm një jave në fundin e shkurtit dhe fillimin e muajit mars “the reds” barazuan 0-0 në “Old Trafford” dhe “Goodison Park”, respektivisht me dy skuadra armike si United dhe Everton, për t’i dhuruar kryesimin City-t të Guardiolës.

Pas barazimit me “toffees”, Liverpuli regjistroi 9 fitore radhazi, megjithatë një ecuri e tillë nuk mjaftoi për të zbritur nga froni i Premiershipit kampionët në fuqi. Deri tre dekada më parë klubi i famshëm nga Merseyside ishte vite dritë larg përpara Manchester United, sidoqoftë që nga 1.990 e largët Liverpuli është shpallur nënkampion në vitet 1991, 2002, 2009, 2014 e 2019, por pa e prekur dot trofeun më të lakmuar në futbollin elitar të klubeve të këtij vendi.

Pra që nga viti 1992 kur është themeluar “të kuqtë” nuk ia kanë dalë dot mbanë për të shënuar emrin e klubit në listën e ekipeve që e kanë fituar Premier League-n, në një kohë kur situata ka ndryshuar krejtësisht dhe United i udhëhequr nga trajneri legjendar Alex Ferguson përmbysi gjithçka, deri në atë pikë sa tani janë “red devils” që kryesojnë 20-18 me kampionate.

Tetë muaj më herët në “Teatrin e Ëndrrave” trajneri gjerman e nënvlerësoi ndjeshëm kundërshtarin e tij, për më tepër në fraksionin hapës në Old Trafford Ole Gunnar Solskjaer u shtrëngua për të kryer tre zëvendësime të detyrueshme, për shkak të dëmtimit të lojtarëve të tillë si Ander Herrera, Juan Manuel Mata dhe Jesse Lingard dhe në përfundim Liverpuli e mbylli sfidën me vetëm një gjuajtje në portë, pavarësisht se dominoi zotërimin, duke mbajtur topin në pothuajse 2/3 e kohës.

Ishte një Manchester United krejtësisht i ndryshëm, sepse sic dihet futbollistët në fushë dhanë shpirtin, duke fituar 10 dhe barazuar vetëm 2 nga 12 ndeshjet e para të trajnerit norvegjez në timon, si për t’i treguar ish-trajnerit Jose Mourinho, që ishte nxituar në deklaratat e tij, deklarata ku 56-vjeçari luzitan kishte vënë vazhdimisht në dukje problemet, limitet e kontigjentit të futbollistëve në dispozicion si dhe impenjimin e lojtarëve të ndryshëm madje me shumë emër në këtë skuadër.

Trajneri i famshëm portugez u shkarkua pikërisht pas humbjes 3-1 të 16 dhjetorit në Anfield Road, ku “të kuqtë” realizuan dy herë në 20? e fundit me mesfushorin nga Gjilani Xherdan Shaqiri, që përfitoi nga dy devijime për të mposhtur më në fund portierin David De Gea. Prej kohësh është vërtetuar që Jose Mourinho kishte të drejtë, sepse pas euforisë së fillimit “djajtë e kuq” janë zhytur në një krizë të thellë dhe gabimi më i rëndë është pikërisht fakti që drejtuesit vijojnë t’i besojnë trajnerit Solskajer, që vjen nga një ekip si Molde, ndërsa në futbollin anglez Ole mbahet mend për rrëzimin që i bëri Cardiff City-t në Championship.

Dikur gabime të tilla i bënë edhe vetë drejtuesit e Liverpulit, që i dhanë celësat për një periudhë 3-vjecare ish-mesfushorit skocez Graeme Souness, ndërsa tani të njëjtën gjë është duke e bërë vetë administratori Ed Woodward, që i ka dhënë garanci trajnerit Solskjaer për të vijuar i qetë punën e tij. “Young, hungry and british” është thënia e famshme e dikurshme e Suoness-it, megjithatë po të njëjtat gabime janë duke bërë tani edhe në këtë pjesë të Manchesterit. Në mënyrë identike edhe Solskajer ka deklaruar po të njëjtën gjë, gjithsesi kuptohet qartë që trajneri norvegjez është emëruar për të mbrojtur politikën e administratorit Woodward, duke kursyer në këtë mënyrë paratë e vëllezërve Glazer.

Ole Gunnar Solskajer në fakt është trajneri i një klubi tepër të lavdishëm si Manchester United, që për momentin fshihet pas të rinjve, sepse pavarësisht dëmtimeve formacioni që ai rreshton në fushë çalon në aspektin e lojës dhe vuan gjithashtu për të marrë rezultat. Kohë pas kohe shumë emra të mëdhenj të “djajve të kuq” i dalin në mbrojtje trajnerit nordik, duke pretenduar që Solskajer-it duhet t’i jepet koha e mjaftueshme për të ndërtuar ekipin që ka në mendje. Kriza dihet dhe pavarësisht garancive dhe fjalëve të bukura nën drejtimin e “baby – faced assassin” klubi po thyen çdo rekord negativ të këtyre tre dekadave të fundit, madje në rast humbjeje ekipi mund të rrëshqasë drejt e në “zonën e ftohtë”.

Solskjaer nuk do të ketë në dispozicion dy ndër emrat më të spikatur te “red devils” si Pogba dhe De Gea, gjithsesi trajneri norvegjez është i bindur se kjo është ndeshja e duhur për të bërë kthesën. Deklaratë që natyrisht ka ngacmuar krenarinë e trajnerit Jurgen Klopp, pasi 52-vjeçari, që nuk ka fituar kurrë në Stadiumin “Old Trafford” u kundërpërgjigj pa humbur kohë, duke shtuar se ka mbetur i befasuar nga fjalët e Solskjaer-it, pasi për momentin asnjë skuadër në glob nuk dëshiron që të matet me ekipin e tij.

Rivaliteti ndërmjet tyre i kalon të gjitha përmasat e një dueli klasik brenda qytetit, aq sa edhe sfidat respektive me Evertonin dhe Sitin kalojnë në plan të dytë, e jo më kot edhe konsiderohet si ndeshja më e rëndësishme e futbollit anglez. Takimi do të luhet në Stadiumin “Old Trafford” në orën 17:30 nën drejtimin e kryesorit Martin Atkinson dhe kurioz është fakti që ekipi i Liverpulit ka fituar vetëm një herë gjatë dekadës së fundit brenda në “Teatrin e Ëndrrave”.

Në foton e mëposhtme do gjeni të gjitha ndeshjet që do të luhen sot edhe në kampionatet e tjera: Seria A, Ligue 1 etj.


TË NGJASHME