HomePolitikë

Debati për Kushtetuesen /Manja zbulon “skenarët”, Gjoni akuzon politikën

ulsi-manja

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, zbuloi skenarët e mazhorancës për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, teksa procesi i përzgjedhjes së anëtarëve është përfshirë nga një debat i ashpër mes palëve politike, pasi është kundërshtuar nga opozita dhe Presidenti Ilir Meta.

Në emisionin “Real Story”, në News24, deputeti Manja iu përgjigj pyetjes së gazetarit Sokol Balla se çfarë parashikohet të ndodhë në vijim, pas votimit të dy anëtareve të Kushtetueses sot në Kuvend.

Manja tha se nëse dy anëtaret Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji nuk thirren nga Meta për të bërë betimin, ato duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe të marrin detyrën. Sipas tij, “Çështja e betimit është njësoj si, t’i vendos të martohesh, do shkosh te kryetari i bashkisë për celebrimin, por ai nuk ua bën. Do ndahet çifti tani?”.

“Presidenti nuk e ka dekretuar z. Vorpsi. Z. Vorpsi konsiderohet e emëruara e parë e Gjykatës Kushtetuese. Z. Vorpsi konsiderohet e emëruar për efekt të Kushtetuës dhe të ligjit. Jemi të detyruar të zbatojmë Kushtetutën. Po të shkojmë në absurditet, na duhet të pranojmë edhe atë letrën. Sjellja e Presidentit nuk është kushtetuese. Presidenti nuk është jurist, por ka marrë përsipër të pezullojë procesin përmes një letre. Betimi është një moment i rëndësishëm, sepse lidhet me shprehjen e besnikërisë që një anëtarë ka ndaj Kushtetuës, por ama për mua është një moment ceremonial dhe jo konstituimi. Që do të thotë betimi nuk është element konstituiv që lidhet me fillimin e mandatit kushtetues.

Mendoj që fillimi i mandatit lidhet me momentin e zgjedhjes nga Kuvendi për dy anëtarët, por fillimi i mandatit duhet të lidhet ekzaktësisht me momentin kur Kuvendi ka bërë zgjedhje. Betimi është element ceremonial, solemn, por nuk mundet të bllokojë funksionalitetin e një organi kushtetues. Këtë qëndrim ka mbajtur dhe Komisioni i Venecias. Nëse dy anëtaret nuk do të thirren nga Presidenti për të bërë betimin, do duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për të marrë detyrën. Shqiptarët presin një orë e më parë të kenë Gjykatë Kushtetuese. Çështja e betimit është njësoj si, t’i vendos të martohesh, do shkosh te kryetari i bashkisë për celebrimin, por ai nuk ua bën. Do ndahet çifti tani?”, tha Manja.

Për Arjan Vasjarin, Arta Vorpsi nuk mund të fillojë punë në organin e Gjykatës Kushtetuese pa marrë bekimin me dekret nga ana e kreu të shtetit. Ai e konsideroi absurde përplasjen e institucioneve shtetërore për këtë çështje, ndërsa shtoi se Parlamentit dhe maxhorancës i duhet me patjetër të ndërtojnë një urë të qartë komunikimi me presidentin e vendit.

“Mandati i gjyqtarit fillon pas betimit tek Presidenti. Betimi është ceremonial dhe simbolik, sepse ai që shkon atje pranon një sistem vlerash të përbashkëta të kësaj shoqërie.Ne jemi në vakum dhe unë nuk e konceptoj dot që Arta Vorpsi të shkojë në zyrë pa u betuar  para presidentit. Kur themi se është një situatë absurde, ne po krijojmë një precedent dhe ata që vijnë pas Metës, ata do gjejnë një zgavër dhe mund ta përdorin. Kjo më shqetëson. Ky është një detyrim i këtij parlamenti, por edhe maxhorancës, që të kërkojë ura bashkëpunimi me presidentin. Problemi është se a do të ngremë apo jo Gjykatën Kushtetuese brenda këtij absurditeti”-tha ai.

Deputeti i Kuvendit, Ralf Gjoni duke folur për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, hodhi akuza të forta ndaj klasë politike,  ndërsa tha se ata asnjëherë nuk kanë demonstruar vullnet  për ngritjen e një drejtësie solide. Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës  kanë qenë aktorët kryesorë, të cilët kanë luajtur rol kyç që Shqipëria të arrijë krijimin e një sistem të drejtë, që në qendër të tij ka qytetarin e thjeshtë.

“Ne jemi këtu ku jemi, sepse asnjë nga palët politike dhe le t’i themi me emra as PS dhe as PD dhe as LSI dhe asnjë nga partitë e tjera që kanë qenë në Parlament  nuk kanë pasur asnjëherë vullnet që ky vend të kishte drejtësi dhe të ndërtohej shteti i së drejtës. As Rama, as Berisha , Basha e Monika jo e jo, as Meta sot.

Unë besoj që nuk kanë asnjë interes që reforma në drejtësi të përfundojë dhe të fillojë implementimi dhe ngritja e institucioneve kushtetuese, si Gjykata Kushtetuese dhe  Gjykata e Lartë dhe SPAK e BKH. Të vetmit aktorë në Shqipëri dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët, që kanë qenë të investuar fort, kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ShBA-të i kanë qëndruar pranë shqiptarëve që nga shpallja e pavarësisë, gjatë luftës së Kosovës dhe kjo nëse mund ta quajmë kështu, është lufta e madhe për drejtësi”-tha ai.

Deputeti Ralf Gjoni theksoi se disa nga kandidatët që garojnë sot për vakancat në Gjykatën Kushtetuese nuk i përmbushin kriteret e kërkuara.

“Kjo është lufta për të dalë njëherë e mirë nga mendësia otomane.  Disa kandidatë për Gjykatën Kushtetuese kanë mangësi që duhen komentuar. Për mua nuk përbën problem të madh nëse zgjidhet nga një apo dy kandidatë njëherësh, duke marrë parasysh ku ndodhet drejtësia. Ajo që më shqetëson është që të qartësohet procedura e përzgjedhjeve. Është e rëndësishme që të na vijnë lista me 3 emra sepse kështu thotë ligji. Unë nuk mendoj që jemi përball një situate që kemi mundësi zgjedhje për të luajtur një rol me skanues në Kuvend se kush është më i miri”-shtoi ai


TË NGJASHME