HomePolitikë

Maqedoni, opozita kundërshton ndryshimin e emrit

Kreu i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni nuk i lë shpresa qeverisë së Zoran Zaevit se do ta mbështesë në Parlament për ndryshimet kushtetuese.

“Marrëveshja e Prespës ka vdekur”, tha për Deutsche Welle lideri i VMRO-DPMNE-së, duke treguar qartë se forca politike që drejton nuk do ta përkrahë paktin historik të emrit me Greqinë, që do t’i hapte vendit rrugën e integrimit në NATO e BE.

Debati në Parlament për ta aprovuar ose jo këtë marrëveshje ka hyrë në ditën e tretë. Zaevi po përpiqet fort që të arrijë shumicën e nevojshme të dy të tretave, por nuk i ka votat dhe i duhet të bindë të paktën 10 deputetë opozitarë që t’i japin paktit dritën jeshile.

Mickoskin dhe partinë e tij nuk i lëkundi as letra personale e asistentit të Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchel, i cili përcillte zhgënjimin e Uashingtonit me pozicionet e lidershipit të VMRO-DPMNE-së në lidhje me referendumin dhe hapat në Parlament për të ndryshuar kushtetutën.

Një mesazh të ngjashëm përcolli javën e kaluar, po përmes një letre, edhe kreu i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul. Mesazhet e të dy zyrtarëve të lartë e linin të kuptohej hapur se Mickoski dhe partia e tij do të mbajnë përgjegjësinë për dështimin e marrëveshjes së emrit.


TË NGJASHME