HomePolitikë

Masat për koronavirusin, Spahia: Mungesë të informacionit dhe trajnimit të personelit shëndetësor

Ish-deputeti dhe mjeku Bardh Spahia lidhur me masat e marra për të parandaluar apo përballuar emergjencën në rast të prekjes së vendit tonë nga koronavirusi ka monitoruar dy qendra shëndetësore në Tiranë.

Ish-deputetit Spahia pas monitorimit deklaroi se në këto dy qendra nuk është marrë asnjë masë mbrojtëse ndaj virusit dhe se stafi shëndetësor, sipas tij, nuk është trajnuar apo informuar mbi koronavirusin.

“Pas vizitës tonë në ambientet e brendshme dhe komunikimit me mjekët dhe personelin shëndetësor të kësaj qendre, konstatojmë se deklaratat e kryeministrit dhe të qeveritarëve, jo vetëm që nuk janë të vërteta, por ka mangësi të theksuara në pajisjen e këtyre qendrave me mjetet e duhura për të përballuar këtë situatë tepër shqetësuese. Nga konstatimet tona u vu re se ka mangësi të theksuara në pajisjen me maska mbrojtëse, për të mos folur për mos pasjen e veshjeve të duhura për përballimin e një rasti të dyshuar me koronavirus”, tha Spahia.

Pas inspektimit në këto qendra Spahia tha: “Ka mungesë të informacionit dhe trajnimeve, instruktimit të personelit shëndetësor për mënyrën e përballimit të dhe të veprimeve në rast konstatimi të një pacienti të prekur nga koronavirusi. Mungesa të cilat pastaj detyrimisht shtrihen përtej personelit mjekësor dhe tek qytetarët shqiptarë. Një tjetër aspekt shqetësues të cilin do të doja ta theksoja sot, ishte edhe mungesa jo vetëm e informacionit, por edhe e dezinfektimit dhe sanitarizimit të ambienteve të këtyre qendrave shëndetësore në të cilat kalon një fluks i madh qytetarësh shqiptarë, shpeshherë me simptoma të ngjashme me ato të koronavirusit.”

Spahia i bëri thirrje institucioneve qeveritare që të lënë propagandën boshe dhe të marrin masa serioze për të përballuar situatën.

K.S/ GotaNews


TË NGJASHME