HomeLajmi i Fundit

Mashtrimi në spitalin COVID2/ Avokatët e sanitares: Ajo ka probleme psikologjike, kishte kaluar…

Pas vendimit për arrestimit të shtetases Tire Alldervishi, avokatët mbrojtës të saj kanë kërkuar një masë lehtësimi, për një afat 1-mujor.

Ata kanë deklaruar se klientja e tyre, nuk është në gjendje të mirë mendore, dhe ka probleme psikologjike, pasi ka kaluar COVID-19, duke shtuar se për këtë ata kanë prova. Nisur nga kjo hapet një pistë e re për zhvillimin e ngjarjeve.

“Ngjarja është e rende për opinionin publik. Do kërkojmë hetim të plotë. E mbrojtura prej nesh është në gjendje jo të mirë psikologjike. Ka qenë e prekur me COVID dhe gjendja shëndetësore nuk është e mirë. Kërkojmë një masë më të lehtë me afat 1-mujor. Do të sjellim prova që japin një tjetër tablo”, deklaruan avokatet.

Sakaq përgjimin e kryer nga emisioni investigativ, ata e konsiderojnë si të jashtëligjshëm. Në anën tjetër vetë e pandehura nuk dha asnjë shpjegim.

Prokurori Bledar Valikaj, thotë se sanitarja i mori 2 mijë lekë vajzës së pacientes vetëm për t’i futur celularin brenda në spital. E gjithë skema ishte ngritur mbi pretendimin se paratë do të ndaheshin me mjekët dhe infermierët e tjerë. Por vajza e pacientes tregon se nëna e saj i thoshte vazhdimisht se nuk po mer shërbimin e duhur.

Prokurori Valikaj, tha se po hetohet nëse kemi të bëjmë me një skemë zhvatje ndaj të sëmurëve me COVID-19.

“Sanitarja i jepte kallëzueses edhe një listë me ilaçe që duhet të blinte për kurimin e së ëmës. Sanitarja Alldervishi në momente të caktuara ka kërkuar edhe 7 mijë lek, madje i cilësonte pak. Gjatë turnit të natës merrte më shumë para”, tha organi i akuzës.