HomeLajmi i Fundit

Mashtrojnë pronarët dhe iu zhvatin dyqanin në Kurbin, kapet çifti sa hyn në Tiranë

Një çift është arrestuar nga policia, pasi akuzohen se me anë të mashtrimit kanë vjedhur disa kostume popullore në Kurbin. Denoncimi ishte bërë nga pronarët e biznesit, të cilët e kanë kuptuar me vonesë që ishin mashtruar nga një burrë dhe një grua.

Menjëherë ata kanë njoftuar policinë, e cila është vënë në ndjekje të çiftit, duke i arrestuar teksa po ktheheshin në Tiranë, ku edhe banonin, e në mjet ju gjetën edhe kostumet e vjedhura.

NJOFTIMI I POLICISE

Falë reagimit të shpejtë të Policisë lokalizohen, kapen dhe arrestohen 2 shtetas të cilët me anë të mashtrimit vodhën në një pikë shitje në Kurbin, disa kostume kombëtare.

Specialistët për hetimin dhe parandalimin e krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin, nisur nga kallzimi që shtetasit M. H., dhe K. B., bënë pranë Komisariatit të Policisë Kurbin, se dy shtetas me anë të mashtrimit iu kishin vjedhur në pikën e tyre të shitjes në Kurbin disa kostume kombëtare, organizuan operacionin policor të koduar “Tapiza”.

Si rezultat i zhvillimit të operacionit, falë dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative se dy autorët e vjedhjes po lëviznin me mjet në drejtim të Tiranës, shërbimet e Policisë Kurbin kanë organizuar punën dhe janë vënë në ndjekje të tyre, ku në vendin e quajtur “Ura e Tapizës” është konstatuar dhe bllokuar mjeti me të cilën dy autorët po lëviznin.

Në vijim është ushtruar kontroll në mjetin e bllokuar, ku gjatë kontrollit u gjetë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale: 23 kostume kombëtare të llojeve të ndryshme, 5 palë opinga popullore (të vjedhura në pikën e shitjes në Kurbin) dhe dy aparate celular.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arretimi në flagrancë për veprën penale “Vjedhje”, të dy autorëve, shtetasve:

– S. B., 54 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Mashtrim”);
– M. D., 51 vjeçe, banuese në Tiranë.

Materialet procedurale u referuan për veprime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.