HomeLajmi i Fundit

Mbeti i plagosur nga atentati me 2 viktima, në burg i ‘forti i Vlorës’

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë për Armand Sulejmanin i cili mbeti i plagosur gjatë një atentati të ndodhur përpara disa ditësh në Vlorë ku humbën jetën edhe dy shoqëruesit e tij, Orest Rexho dhe Arjan Hasani, të moshës 35-40 vjeç .

Masa e sigurisë

Është mbajtur në ambientet e Spitalit të Vlorës masa e arrestit për objektivin e atentatit të ndodhur në Vlorë, Armando Sulejmani. Sulejmanit iu komunikua masa e arrestit, arrest me burg për veprën penale të mbajtjes dhe prodhim të armëve luftarake. Masa është mbajtur në dhomën e paraburgimit në ambientet e spitalit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Mësohet se 2 ditë më herët Sulejmani është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se arrestimi i tij është bërë për shkak se në makinën ku u gjet një prej viktimave, u gjet një armë zjarri, që dyshohet se është e Sulejmanit.

Sulejmani, në momentin e atentatit kishte me vete një pistoletë prodhim amkerikan me mulli të tipit “Magnum SË 357 SMITH WESON”. Gjatë momentit të sekuestrimit të kësaj arme rreth 50 metra larg automjetit “Passat”, ekspertët e policisë kriminale kanë konstatuar se në mullirin e saj, ishin gjashtë gëzhoja.

Të gjitha këto prova materiale janë dërguar për ekspertim balistik dhe daktiloskopik në laboratorin e policisë shkencore në Tiranë, ku anëtarët e grupit hetimor shpresojnë në gjentjen e ndonjë gjurme gishti, e vlefshme për krahasim. Gjitashtu në cilësinë e provës materiale është sekuestruar dhe automjeti tip “Passat” ku udhëtonin dy viktimat dhe i plagosuri “Çipuri”, i cili për shkak të plumbave kishte marrë dëmtime të shumta. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe tre telefona me mbishkrimin BQ dhe një telefon tjetër që i përkasin të dëmtuarve.

Hetimet
Sa i përket vijimit të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes, mësohet se policia ka kryer kontrolle të imtësishme në disa banesa të anëtarëve të bandës së Llanajve. Kontrolle janë kryer edhe në ambiente të pallatit te Edmond Harizaj. Nga polica mësohet se ende nuk është bërë ndalimi i autorëve. Në vendin e ngjarjes, ku ndodhi dhe atentati janë gjetur rreth 80 gëzhoja automatiku.

Por kush është Armando Sulejmani:

Armando Sulejmanit i është bërë atentat edhe në vitin 2016, teksa hynte në banesën e tij në lagjen “Pavarësia”, ku i shpëtoi 11 plumbave duke e kapur vetëm njëri prej tyre. “Çipuri” njihet si person me precedentë të shumtë penal. 42-vjeçari njihet nga policia si anëtar i bandës së Gaxhait. Ai ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasje, ndërsa e ka fituar lirinë rreth 3 vite më parë.

Në një informacion paraprak për ngjarjen, policia tha se “një grup i posaçëm hetimor u ngrit menjëherë dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e ndalimin e personave të implikuar në ngjarje. Për shkak të hetimeve nuk mund të bëhen të ditura detaje të tjera”.

Në janar të këtij viti në një tjetër atentat në Vlorë mbeti i plagosur Mikel Mehmeti nga Selenica e Vlorës, njohur si anëtar i bandës së Llanajve. Llanajt njihen për masakrën e Çolës, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj. Një nga autorët e masakrës është Aleksandër Llanaj, që po vuan dënimin në burg.

Çipuri ka qenë i dyshuar edhe për një atentat të dyfishtë në nëntor të 2018-ës në qytetin e Durrësit.