HomePolitikë

Mblidhet KQZ, pritet vendimi për Agim Kajmakut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur këtë të premte, për të diskutuar mbi “fatin” e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, Agim Kajmaku i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

Nga ana tjetër avokati i Agim Kajmakut, Isuf Shehu tha:

Verifikimet janë të paplota nga ana e prokurorisë. Detyra e prokurorisë janë të parashikuara qartë, te cilën ata nuk e kanë zbatuar.

Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë vendim të formës së prerë ndaj subjektit Agim Kajmaku. Letërporositë nga institucionet greke nuk kanë ardhur në organin e akuzës në Shqipëri. Kështu lind pyetja a është nisur kërkesa për këtë letërporosi?! Pa patur këto përgjigje nuk kemi një procedurë verifikimi të përfunduar.

Procedimi ndaj Kajmaku në Greqi është bërë plotësisht në munges të tij dhe në munges të dijenisë së tij. Ju të nderuar s’mund të merrni vendime mbi opinione qofshin këto edhe nga prokuroria.

Ndërkohë deri tani kryeministri Rama ka reaguar një javë më parë, në emisionin “Opinion”, ku premtoi se maxhoranca do të bëjë dy ndryshime kryesore në Reformën Zgjedhore.

“Kush kapet me gënjeshtër në formularin e dekriminalizimit, do të shkojë në burg. Nuk e gjen dot se çfarë ka para 10 vjetësh? Ne do ta bëjmë tani ndryshe. Të mos regjistrohen më kandidatura, një ditë para se të fillojë fushata, por një muaj para se të nisë fushata dhe të verifikohet nga Prokuroria dhe Policia, dhe nëse dalin të dënuar, do të futen në burg”, tha Rama në “Opinion”.


TË NGJASHME