HomeLajme

Mbyllen bisedimet njëjavore mes SHBA-së dhe talebanëve

Talebanët dhe Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar një javë negociatash në Katar, por nuk njoftuan ndonjë progres domethënës drejt avancimit të paqes në Afganistan.

Një zëdhënës i talebanëve tha se bisedimet u fokusuan tek tërheqja e trupave amerikane, në shkëmbim të garancive të talebanëve se nuk do të lejojnë përdorimin e territorit afgan nga terroristët për të sulmuar vende të tjera.

Suhail Shaheen e përshkroi raundin e gjashtë të bisedimeve si “pozitiv dhe konstruktiv”. Ai tha se ishte arritur një lloj progresi për një marrëveshje paraprake që palët kishin arritur fillimisht në muajin mars.

Ekipi amerikan në këto bisedime është udhëhequr nga i Dërguari i Posaçëm, Zalmay Khalilzad. Kryenegociatori amerikan, i lindur në Afganistan, ka thënë se marrëveshja finale me talebanët do të ndërlidhej edhe me një marrëveshjeje armëpushimi gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrjen e rebelëve në një dialog ndër-afgan drejt dhënies fund të armiqësive.

Por, talebanët kanë kërkuar që Uashingtoni të bjerë dakort dhe të shpallë tërheqjen e njësive ushtarake përpara se të hapen diskutimet për çështjet e tjera drejt vendosjes së një paqeje të përhershme në Afganistan.

Grupi rebel vazhdon ndërkohë të kryejë sulme vdekjeprurëse në Afganistan. Sulmi më i fundit u krye nëpërmjet një makine të ngarkuar me eksploziv dhe personave të armatosur që goditën një organizatë joqeveritare të financuar nga Shtetet e Bashkaura, në kryeqytetin Kabul. Sulmi mori jetët e nëntë personave dhe la 20 persona të tjerë të plagosur.


TË NGJASHME