HomePolitikë

Mbyllet votimi, zgjidhet kryeministri i ri i Britanisë

Boris Johnson është kryeministri i ri i Britanisë. Ai fitoi përballe rivalit të tij, Jeremy Hunt në votimin e rreth 160,000 anëtarëve të Partisë Konservatore. Johnson, ish-kryetar i Londrës, ishte konsideruar edhe favorit për këtë pozitë. Ai doli fitues duke marre 92,153 vota ndaj 46,656 të rivalit të tij.

Kryeministrja britanike, Theresa May, e cila ka dhënë dorëheqje në shenjë revolte pas mospërkrahjes së politikës së saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian, do të drejtojë mbledhjen e fundit të kabinetit britanik, nderkohe qe neser Johnson pritet te marre edhe detyren e re.

Fushata për të fituar pozitën e liderit të Partisë Konservatore dhe rrjedhimisht edhe të kryeministrit është dominuar nga diskutimet për Brexit.

Hunt, Sekretar i Jashtëm britanik, ka thënë se synon të sigurojë një Brexit me marrëveshje.

Johnson në anën tjetër ka thënë se kërkon që patjetër të largojë Britaninë nga BE-ja më 31 tetor, duke përfshirë mundësinë e largimit pa marrëveshje.

Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundrejt 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.


TË NGJASHME