HomeLajmi i Fundit

Me dronë, qen antidrogë e 380 forca policore, pse dështoi operacioni në Portin e Durrësit dje

Mbi 380 forca Policie të ardhur nga Tirana, Shkodra dhe Fieri kanë mësyrë dje portin më të madh në vend, atë të Durrësit. Në operacion u angazhuan 10 qen antidrogë si dhe dy dronë për të parandaluar çdo dështim të aksionit për zbulimin e drogës që mund të fshihej në ambientet e brendshme të portit. 

Por, rezultati i aksionit ishte një dështim spektakolar, pasi nga kontrolli i mbi 100 kontenierëve dhe 65 magazinave nuk u gjet asgjë e paligjshme përveç një pistolete zhurmuese apo targa false automjetesh. Operacioni “Porti i Pastër”, sipas Policisë synon kontrollin e personave në hyrje e dalje, kontrollin e mjeteve, mallrave, të peshkarexhave apo mjeteve të tjera lundruese që përdoren në Portin e Durrësit, si dhe në disiplinimin e qarkullimit të automjeteve. “380 forca policore, kryesisht të FLO Tiranë, Shkodër e Fier, ato të Policisë Kriminale, të ‘Shqiponjave’ të DVP Tiranë, Durrës, Elbasan e Fier, të Patrullave të Përgjithshme, Njësia Operacionale e Policisë Rrugore dhe ato të Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës e të Policisë Kufitare ushtruan kontrolle të imtësishme në të gjithë territorin e portit.

Në operacionin e kontrollit u përdorën edhe 10 qen antidrogë si dhe 2 dronë. U kontrolluan 106 kontejnerë, 65 magazina dhe objekte të ndryshme brenda portit, dhjetëra mjete lundruese, kryesisht peshkarexha, 345 automjete dhe rreth 770 persona. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë zhurmuese, thikë, vula të falsifikuara, targa mjetesh të falsifikuara, dokumente të kundërligjshme, si dhe sasi me cigare kontrabandë. Policia ka shoqëruar për veprime të mëtejshme 23 persona”, bëhet e ditur nga Policia e Shtetit./PANORAMA