HomeTeknologji

Mediat sociale në Kinë vendosin gjurmë sekrete për të kapur ata që bëjnë Screenshot

Shpërndarja e screenshot-eve me përmbajtje të ndjeshme në Kinë sapo është bërë më e rrezíkshme. Më shumë shërbime kineze të mediave sociale po vendosin filigranë të fshehur në pamjet e ekranit që i bëjnë imazhet të gjurmueshme pavarësisht se ku shpërndahen, një veçori që një analist tha se mund të parandalojë përhapjen e përmbajtjes së censuruar.

Disa përdorues kinezë të internetit zbuluan kohët e fundit logo të fshehta në screenshot-et e bëra në Zhihu, një faqe me pyetje dhe përgjigje të ngjashme me Quora. Duke ndryshuar ngjyrat e pamjeve të ekranit, përdoruesit gjetën vargje numrash nëpër faqe. Disa dyshojnë se janë informacione që mund të përdoren për të identifikuar se kush e ka bërë screenshot-in.

Platforma i lejon administratorët e grupeve të mesazheve të zgjedhin këtë veçori, e cila fut filigranë (logo) delikate në pamjet e ekranit që përmbajnë informacione se kush e ka bërë screenshot-in dhe origjinën e saj.

Por Eric Liu, një analist që ndjek censurën kineze për China Digital Times me qendër në SHBA, tha se kompanitë kineze të mediave sociale po përdorin teknika të tilla, të quajtura steganografi, për të gjurmuar përmbajtjen e ndjeshme në burimin e tyre dhe për të bllokuar llogaritë që ndajnë informacionin në platformat e huaja të ndaluara.

“Është një metodë për të ndaluar përhapjen e përmbajtjes së censuruar,” tha Liu për VICE World News. “Nëse përmbajtja e censuruar bëhet virale në mediat sociale përtej ‘murit kinez’, do të ushtronte presion të jashtëzakonshëm në platformat vendase.”

Filigrani dixhital është përdorur prej vitesh për qëllime të tilla si mbrojtja e të drejtave të autorit dhe vërtetimi i videos, dhe mund të vijë në formën e mesazheve të fshehura ose pikselëve të ndryshuar në mënyrë të padukshme. Që në vitin 1997, Playboy mendoi të vendoste shenja dixhitale në fotot e tij për të gjurmuar kopjet e piratuara në internet.

Shumë printera zyrash vendosin gjithashtu kode gjurmimi, të padukshme për syrin e lirë, në dokumentet e printuara që i lidhin me numrin serial të printerit. Kjo është mënyra se si Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së në 2017-ën identifikoi një kontraktor që zbuloi dokumente të klasifikuara në The Intercept, i cili postoi foto të dokumenteve në internet.

Ndërsa shumica e faqeve të mediave sociale të huaja, duke përfshirë Twitter dhe Facebook, janë të bllokuara nga Kina, autoritetet kanë kërkuar të gjurmojnë banorët që kritikojnë qeverinë kineze në këto platforma. Të paktën 2,300 banorë në Kinë janë dënuar dhe madje disa janë dënuar me bùrg për komentet e tyre në internet, duke përfshirë postimet në Twitter, sipas një baze të dhënash./ Përktheu dhe përshtati: GOTA NEWS ALBANIA


TË NGJASHME