HomeSport

Merkato në ditët e fundit, kërkesa të shumta për futbollistët shqiptarë

Ditët e fundit para mbylljes së merkatos kanë sjellë në trend futbollistët shqiptarë. Pas Rey Manaj në skenë del edhe emri i Sokol Cikalleshi, që mund të bëjë kapërcimin e madh në karrierën e tij, duke u transferuar në Serie A.

Duke qëndruar në atë që raporton portali shumë pranë klubit “PianetaLecce.it”, drejtuesit e skuadrës pulieze kanë marrë kontakte me menaxherin e futbollistit dhe klubin e Akhisar, që ka në pronësi kartonin e tij. Cikalleshi luajti 29 ndeshje dhe shënoi 8 gola në sezonin e fundit, ndërsa për të interesohen edhe disa klube të League 1 në Francë.

Por sipas asaj që shkruhet në portalin italian, sulmuesi preferon të transferohet në Serie A. Vetëm një ditë më parë, në zërat e merkatos në kampionatin italian u përfshi edhe Rey Manaj. Për sulmuesin që luan me Albacete në Ligën 2 të Spanjës, interesohet Genoa.

Manaj ka qenë më parë pjesë e Inter, që pas disa huazimeve e shiti përfundimisht kartonin e tij te Albacete, e cila militon në Ligën 2 të Spanjës. Në sezonin e shkuar, sulmuesi lushnjar bëri një paraqitje të shkëlqyer dhe nëse Genoa vendos ta transferojë, atëherë do të bëhej fjalë për një rikthim të tij në kampionatin italian.


TË NGJASHME