HomeSociale

Mësuesit e rinj, hapen aplikimet për punësim

Nis gara e mësuesve që janë në kërkim të një vendi pune.

Ministria e Arsimit ka hapur dje zyrtarisht thirrjet për aplikim përmes udhëzimit të ndryshuar për pranimin dhe emërimin e tyre. Konkurrimi i mësuesve për vendet e lira të punës do të nisë me dorëzimin e dosjes e më pas me testimin elektronik. Kjo e para nis që sot e deri më 5 qershor.

Mësuesit aktualisht të papunë mund të mbledhin dokumentacionin përbri shkrimit, për ta dorëzuar në Drejtorinë Rajonale Arsimore përkatëse, e ndërkohë të përgatiten për provimin që do të mbahet me gjasë në muajin qershor.

Çdo fazë, nga shpallja e vendeve të lira, konkurrimi, renditja e mësuesve, si dhe pranimi i tyre do të komandohet nga portali. Ata me më shumë pikë, që renditen në krye të listës, kanë shanse të punësohen që këtë shtator, me vendet e lira që sinjalizohen një muaj para nga katër drejtoritë rajonale arsimore në gjithë vendin.

KONKURRIMI DHE PUNËSIMI

Konkurrimi me dosje, të cilat vlerësohen nga komisione të posaçme të ngritura në Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, do të pasohet nga aplikimi për testimin e informatizuar. Por, përpara kësaj, mësuesit e papunë duhet të mendojnë tri zona ku do të dëshironin të jepnin mësim, çka do të pasqyrohet në kërkesën për konkurrim.

Rrjeti Akademik Shqiptar do të hartojë shumatoren e pikëve për çdo kandidat, duke listuar në rend zbritës nga ai me më shumë pikë, deri tek ata që kanë grumbulluar më pak nga testimi dhe dosja. Edhe njoftimi për vendet e lira do të bëhet në formë elektronike, po përmes portalit (ndryshe nga më parë që bëhej nga Drejtoritë Arsimore Vendore).

Në rast të njoftimit me e-mail për hapjen e një vendi pune në zonën ku ka aplikuar, kandidati ka një ditë kohë ta konfirmojë. Nëse nuk kthen përgjigje, njoftimi i shkon automatikisht të dytit në listën e punësimeve. Ndryshe nga më parë, ku një kandidat për mësues kishte të drejtë të refuzonte deri në 3 vende, tashmë nuk ka limit deri në pozicionin që ai preferon. Në rast të pranimit të vendit të punës, procedura e punësimit (kontratë me apo pa afat) vijon në drejtorinë e shkollës dhe që këtu mbyllet marrëdhënia e tij me portalin.

RASTET E VEÇANTA

Edhe pse është bërë një luftë e madhe për të zhdukur fenomenin e mësuesve jashtë profilit, udhëzimi i ri e ka parashikuar një gjë të tillë në raste emergjente.

“Kur në një ZVAP nuk ka kandidatë të renditur në portal sipas profilit që përkon me vendin e lirë të punës, njoftohen dhe emërohen ata kandidatë që janë të renditur në portal në një profil të përafërt me profilin e kërkuar, duke respektuar procedurat e këtij udhëzimi”, përcaktohet në udhëzim. Nëse për një vend të lirë nuk ka as kandidat me profil të përafërt, njoftohet për një mësues në zonën më të afërt vendore. Për këto raste, kontratat e punës lidhen me afat të caktuar, deri në momentin e gjetjes së mësuesit të përshtatshëm.

PER APLIKIMIN ME DOSJE DUHET:

Jetëshkrimi;
Kërkesë për konkurrim në portalin “Mësues për Shqipërinë”;
Raport mjeko-ligjor i 3 muajve të fundit;
Deklaratë për gjendjen gjyqësore;
Vërtetim i qendrës së banimit;
Kopje e librezës së punës e njësuar me origjinalin;
Kopje e njësuar me origjinalin e diplomës/ave, vërtetimit/ listës së notave të studimeve të larta;
Kopje e njësuar me origjinalin e licencës së provimit të shtetit;
Kopje e njësuar me origjinalin e dëshmive të kualifikimit për kategoritë: “Mësues i kualifikuar”, “Mësues specialist”, “Mësues mjeshtër”;
Kopje e njësuar me origjinalin e certifikatave me kredite të trajnimeve të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Certifikatat me kredite të trajnimeve të kryera brenda vendit të jenë ofruar nga MASR, institucionet e varësisë ose nga agjencitë e akredituara nga MASR;
Kopje e njësuar me origjinalin e dëshmisë së njohjes së gjuhës/ve të huaja;
Deklaratë nga kandidati për autorizimin e DRAP-it që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura./panorama


TË NGJASHME