HomePolitikë

Meta del me deklarata të forta për situatën politike në vend

Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për mediat, ka folur për situatën politike, reforma zgjedhore, shembja e Teatrit Kombëtar, protestat si dhe integrimi europian të vendit.

Meta bën me dije se që me 8 prill i ka dërguar Ramës platformën për të unifikuar qëndrimin e të gjitha palëve politike me synimin e vetëm integrimin evropian, por nuk ka marrë një përgjigje prej tij.

“Pas ngjarjes tepër tronditëse të shembjes jo thjeshtë të teatrit, por edhe të shtetit ligjor në Shqipëri, dua të them se kam bërë çdo përpjekje jo vetëm për të menaxhuar sa më mirë si shtet, pavarësisht nga problemet, situatën e pandemisë, por edhe për të krijuar një klimë sa më pozitive në mënyrë që të mos harronim provimin e qershorit.

Duke qenë se ky është një objektiv mbarëkombëtar kam bërë çdo gjë për një klimë sa më pozitive. Për këtë arsye, që më 8 prill i kam nisur Ramës platformën, të cilën po e bëj sot publike, të cilën ua kam paraqitur të gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë. Nuk kam marrë asnjë përgjigje”, u shpreh Meta.

Dy ditët e fundit ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka bërë deklarata të forta për zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se nuk duhet të vazhdohet më me lojëra apo pazare.

Lidhur më këto deklaratat e ambasadores amerikane, Yuri Kim, Meta është shprehur se është i gatshëm të përballet me të gjithë aktorët që kanë bërë lojëra me reformat. Ai tha se do t’i kërkoj BE hetim për reformën në drejtësi në lidhje se si kanë qenë ligjet dhe si janë zbatuar.

 “Ambasadorja ka shumë të drejtë unë e kam thënë dhe më parë, mjaft me lojëra, shikoni kushtet nga BE, që nga 2016 e deri tani. Shqetësim është i drejtë, sepse palët kanë luajtur me këto çështje, por presidenti është kreu i shtetit, nuk merret me këto. Gjithçka e bërë nga presidenti ka qenë në përputhje e mirëdokumentuar. Kam kërkuar bashkëpunim nga të gjithë, tani ju i dini lojërat që janë bërë. Por unë jam i gatshëm të ballafaqohen të gjithë aktorët që të shihet se kush ka bërë lojëra me reformat. Këto pikat që iu thashë i dinë të gjithë ambasadorët. Maskat e reformën kanë rënë me kohë pavarësisht pandemisë. Unë do e diskutoj këtë se dje harrova, jam i gatshëm ti kërkoj BE hetim për reformën në drejtësi, Si kanë qenë ligjet dhe si janë zbatuar. Unë jam ballëlartë në këtë histori.Përgjegjësinë ta mbajnë ata që bëjnë lojëra në kurriz të shqiptarëve”, tha Meta

Meta ka theksuar sot se opozita jashtëparlamentare nuk duhet të largohet nga tryeza për reformën zgjedhore. Ai shtoi se të gjitha kushtet e kërkuara nga BE kërkojnë përfshirjen e opozitës reale.

“I kam kërkuar opozitës të mos bjerë pre e provokimeve dhe të mos largohen nga tryeza për reformën zgjedhore. Kjo reformë të përfundojë sa më shpejt pasi Kodi është kërkesa e parë. Pavarësisht se me atë polici të dhunshme e vështirë është që të zbatohet Kodi që është një kusht i Bashkimit Europian. Të gjitha çështjet që kërkojnë zgjidhje nga BE kërkojnë opozitën reale. Të gjendet një mekanizëm për përfshirën e saj. Kemi një problem me legjitimitetin e sistemit demokratik në vend. Kërkohet vendosja e legjitimitetit. Kam 4 vjet që them stop lojërave me reformën në drejtësi dhe ambasadorja ka të drejtë. Shikoni sa kushte janë shtuar nga viti 2016 deri tani. Aktorët politikë kanë luajtur me këto çështje. Presidenti nuk ka luajtur  pasi nuk është aktor politik. Presidenti nuk ka surprizuar askënd pasi çdo gjë ka qenë e mirëdokumentuar. Për çdo akt kam kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve dhe kam njoftuar partnerët”, tha Meta

K.S/GotaNews


TË NGJASHME