HomePolitikë

Meta denoncon ligjin e dividentit: Është një krim i rëndë, u miratua fshehurazi rrëzimi i dekretit

Në një konferencë për shtyp, një ditë para tubimit të së hënës, Presidenti Meta u shpreh se ligji për dividentin është shkelja më flagrante e Kushtetutës.

“Ligji për dividentin është rasti më flagrant se si Kuvendi i kapur, bashkë me qeverinë, ka dhunuar Kushtetutën dhe për këtë, shumë shpejt do të japin llogari para popullit dhe drejtësisë së re që do të vijë”, tha Meta.

Ai e quajti këtë ligj një krim të tmerrshëm, kriminal, goditje pas shpine për mijëra biznese, ndërsa tha se do të bëjë edhe një kallëzim në SPAK.

“Unë ktheva në Kuvend këtë ligj më 20 dhjetor, por e rrëzuan fshehurazi dekretin. Shkelën ligjin me të dyja këmbët, duke futur në mënyrë të fshehtë dekretin e presidentit. U shmang debati me përfaqësuesit e Presidentit. Diskutimi publik do të nxirrte në pah trajtimin që qeveria u ofron oligarkëve të tij, duke i kushtuar me qindra milionë euro buxhetit të shtetit. Do të paraqes në ditët e ardhshme në SPAK kallëzimin penal”, tha Meta.

Më tej, Presidenti bëri thirrje për pjesëmarrje në tubimin e së hënës.

“Ky sekt po përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Unë, ju pres të gjithëve nesër, pasi kjo sjellje poshtëruese është bërë e padurueshme”, tha Meta.


TË NGJASHME