HomeLajmi i Fundit

Meta kthen në Kuvend ligjin për ndëshkimin e mediave

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 20, datë 20.5.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19’, të ndryshuar”.

Sipas Metës, ky ligj përcakton një masë të rëndë administrative fikse, me gjobë 1 milion lekë ose vendosjen e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe ndalimi i funksionimit të pajisjeve, ndërkohë që gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur me ligj, ka përfunduar vetëm 5 ditë pasi Kuvendi ka miratuar këtë akt.

Në dekret thuhet se kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur, por sanksioni ndëshkues administrativ është shproporcional.

Sipas ligjit, ky sanksion që rrezikon të çojë në ndëshkimin me pa të drejtë të mediave, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetuës.