HomePolitikë

Meta mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-ministrit

Presidenti Ilir Meta shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-ministrit dhe ish-deputetit Maksim Cikuli.

Meta e cilëson një personalitet të shquar të mjekësisë shqiptare, por edhe politikan e përfaqësues i nderuar i elitës qytetare dhe intelektuale të vendit.

Mesazhi i Metës:

Trishtues lajmi i ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Maksim Cikulit, personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare, por edhe politikan e përfaqësues i nderuar i elitës qytetare dhe intelektuale të vendit.

Në dekada pune e përkushtimi dhe humanizmi të madh, Prof. Dr. Maksim Cikuli dha një kontribut të shquar si mjek, por veçanërisht si themelues i shërbimit të vetëm kombëtar të gjenetikës në Shqipëri.

Në politikë, si ish-ministër i Shëndetësisë dhe deputet në dy legjislatura, ai do të mbahet mend si një zë i moderuar, i angazhuar për mbrojtjen e parimeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut qysh në vitet e para të pluralizmit politik, si dhe për reformimin e sistemit shëndetësor në vend.

Duke u përulur me nderim e mirënjohje të thellë para kujtimit dhe veprës së tij, u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME