HomePolitikë

Meta mesazh të prerë politikës

Presidenti Ilir Meta i ka përcjellë një mesazh të fortë e të prerë klasës politike shqiptare, që t’i japë fund krizës së thellë.

“Duhet t’i jepet fund kësaj krize tërësisht artificiale, kushtetuese, që ende mbizotëron. Palët duhet të marrin përgjegjësi. Rruga e Shqipërisë është pa kthim dhe ka vetëm një alternativë, që është ajo e Bashkimit Evropian”, tha Meta, teksa mori pjesë në ceremoninë e 10-vjetorit të Fondacionit Gjerman “Konrad Adenauer”.

Duke folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Meta tha prerë se ky është një projekt i papërmbushur, teksa “thumboi” dhe kryeministrin Edi Rama, teksa u shpreh se ky proces arrihet vetëm me zbatimin e reformave dhe jo me lobime.

“Prezenca e këtij fondacioni ka qenë dhe mbetet dëshmi e jashtëzakonshme e forcimit të bashkëpunimit të dy vendeve. Veprimtaria e fondacionit përfshin mbështetjen e procesit të integrimit, mbështetje për të rinjtë, mbështetje për mos harrimin e të kaluarës. Harrojmë shpejt, harrojmë mbi të gjitha se ne nuk bëjmë dot pa Evropën dhe shqiptarët nuk mund të jenë as ato që kanë ëndërruar në vitet ‘90, pa një demokraci funksionale, pa zgjedhje të lira e të ndershme, pa parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve, pa media të lira, pa zgjedhje jo konkurruese.

Demokracia nuk ngelet në vend, nuk fotografohet, ajo forcohet e konsolidohet, ose tkurret e vdes. Ndaj është e rëndësishme t’i rikthehemi të kaluarës, për të mos lënë asnjë mundësi për t’u zhytur sërish në sistem jodemokratik.

Pas anëtarësimit në NATO, integrimi është projekti më i madh i shqiptarëve i papërmbushur. Ky proces bëhet vetëm me zbatimin e reformave dhe jo me lobime. Kërkohet reflektim i thellë e serioz nga të gjithë ne ndaj qëndrimit të fundit të Bundestagut, që na çon drejt dialogut, sundimit të ligjit, në shërbim të qytetarëve.

Më duhet të theksoj se disa nga shqetësimet që ata adresojnë nuk janë të reja, por të përsëritura prej të paktën tri vitesh në mënyrë sistematike. Këto ditë ne presim vendimin mbi çeljen e negociatave, urojmë dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe çdo vend që ka shqetësimet e tij konkrete shpresojmë t’i bashkohet qasjes së ndershme të Bundestagut, që të nxisë vendin të përmbushë të gjitha kriteret e nevojshme”, deklaroi Kreu i Shtetit.

Fjala e plotë e Presidentit Meta në ceremoninë e KAS:

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta përshëndeti sot konferencën  e organizuar me rastin e 10-vjetorit të hapjes në Shqipëri të institucionit prestigjioz gjerman, që i shërben forcimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet dy vendeve tona: Fondacionit “Konrad Adenauer”.

Në fjalën e Tij, Presidenti i Republikës nënvizoi se:

“Gjermania është një mik dhe partner strategjik tashmë i pazëvendësueshëm i Shqipërisë. Mbështetja e saj është jo vetëm e qëndrueshme dhe e shtrirë në të gjitha fushat, por edhe mbetet jetike për të ardhmen e vendit, ashtu sikurse është jetike për vetë anëtarësimin e Shqipërisë dhe e të gjithë rajonit në Bashkimin Europian. Edhe prania e Fondacionit Konrad Adenauer këtu në Tiranë ka qenë dhe mbetet një dëshmi e jashtëzakonshme dhe një kontribut i veçantë i forcimit të këtij bashkëpunimi strategjik midis dy vendeve tona.

Veprimtaria e Fondacionit përfshin mbështetje për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, për forcimin shtetin e së drejtës, për rishikimin e të kaluarës komuniste, bashkëpunimin me partitë politike si dhe mbështetje të veçantë për formimin dhe edukimin e të rinjve. E përgëzoj Fondacionin për gjithë atë punën që ka bërë në secilën prej këtyre fushave, por një falënderim të veçantë kam për kontributin e vazhdueshëm e të palodhur për mos harrimin e së kaluarës komuniste.

Shumë kohë kemi humbur si komb se harrojmë shpejt, dhe harrojmë mbi të gjitha se Europa bën edhe pa ne, sepse ka bërë edhe në të kaluarën. Ne nuk bëjmë dot pa Europën dhe mbi të gjitha, shqiptarët që kanë ëndërruar në Dhjetor 1990 dhe në vijimësi në këto tri dekada, pa një demokraci të vërtetë dhe funksionale, pa zgjedhje të lira e të ndershme, pa parimet e kontrollit e të balancës së pushteteve, pa media të lirë, pa zgjedhje jo konkurruese.

Por demokracia nuk ngel në vend, nuk fotografohet. Ajo forcohet, konsolidohet, ose tkurret dhe vdes ngadalë. Ndaj është shumë e rëndësishme t’i rikthehemi në vazhdimësi të kaluarës për të mos lënë asnjë mundësi për t’u zhytur përsëri në izolim apo arbitraritet dhe për të mos shuar llogaridhënien që është vendimtare dhe që dallon një sistem demokratik nga një jodemokratik.

Shumë drejt e tha profesor Lammerti edhe në ceremoninë që zhvilluam pak më parë: Çdo vend, kushdo qoftë ka qeveri, por dallimi përsa i takon asaj se çfarë përfaqëson kjo qeveri, ka të bëjë pikërisht me rolin që ka parlamenti në raport me qeverinë. Pra është parlamenti dhe populli në përgjithësi që kontrollon apo është e kundërta. Pas anëtarësimit në NATO, integrimi europian është projekti më i madh strategjik i shqiptarëve, i papërmbushur. Kam patur gjithmonë bindjen se ky proces përparon vetëm falë zbatimit të reformave me rezultate konkrete dhe jo falë lobimit. Besoj se të gjithë do të kenë qenë të vëmendshëm që këtë e kam theksuar në mënyrë të vazhdueshme, duke e njohur  mirë edhe procesin.

Në këtë kontekst, dua të falënderoj përzemërsisht Bundestagun gjerman dhe sidomos grupin parlamentar CDU/CSU për mbështetjen shumë të ndershme që i kanë bërë këtij procesi në mënyrë të palodhur! Ndaj edhe nga të gjithë ne kërkohet një reflektim i thellë dhe serioz edhe ndaj qëndrimit të fundit të Bundestagut, i cili na orienton drejt demokracisë funksionale, sundimit të ligjit, dialogut dhe bashkëpunimit të pazëvendësueshëm politik në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

Më duhet ta theksoj se disa nga shqetësimet që ata adresojnë nuk janë të reja, por janë të përsëritura prej të paktën gati tri vitesh në mënyrë sistematike, konsistente, dhe në mënyrën më të ndershme e më me integritet duke na ndihmuar që t’i plotësojmë këto detyrime në kohë, që edhe ata ta kishin shumë më të thjeshtë sot me disa vende anëtare të Bashkimit Europian.

Këto ditë ne presim vendimin mbi çeljen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Urojmë dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe çdo vend skeptik që ka shqetësimet e tij konkrete, t’i bashkohet qasjes së Bundestagut, si rruga më e drejtë dhe e dobishme për të gjithë.

Ndaj me këtë rast, dua të falënderoj edhe njëherë Fondacionin ‘Konrad Adenauer’ që është përqendruar në mbështetje të këtyre reformave që lidhen me zgjedhjet demokratike, të lira dhe të ndershme, me ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, profesional dhe funksional e të besueshëm, dhe me një mjedis që favorizon më shumë investime serioze gjermane dhe europiane në vendin tonë.

Jam i bindur se Fondacioni do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në këto procese, edhe pse çelësi i suksesit është plotësisht në duart e aktorëve politikë, institucionalë dhe të shoqërisë civile këtu, në vendin tonë.

Ndaj këto të fundit duhet të gjejnë kurajën dhe duhet të reflektojnë për të marrë përgjegjësitë që u takojnë për ta rivendosur vendin në shinat kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, për t’i dhënë fund kësaj krize tërësisht artificiale politike, kushtetuese dhe institucionale që ende mbizotëron.

Ne kemi shumë ç’të mësojmë nga përvoja e bashkëpunimit politik në Gjermani. Prandaj jam i lumtur që për këtë do të flasë sonte një personalitet shumë i madh i Gjermanisë dhe Europës, ish-presidenti i Bundestagut për tri mandate, profesor Lammert.

Pasi ai ka qenë dëshmitar në vetë të parë i përparimit që ka bërë Shqipëria gjatë kohës që ka drejtuar Bundestagun, nga viti 2005 deri në vitin 2017, me anëtarësimin në NATO, me nëshkrimin dhe ratifikimin e MSA-së, me lëvizjen pa viza drejt Europës, me marrjen e statusit të vendit kandidat, falë meritave të punës së saj.

Ai na ka mbështetur gjithmonë në këto etapa, ashtu sikurse jam i lumtur se do të vazhdojë të na mbështesë tashmë edhe si president i Fondacionit ‘Konrad Adenauer’ dhe vizita e tij është një dëshmi e vendosshmërisë për të na ndihmuar në këtë proces si një mikjashtëzakonisht i vyer.

Pata kënaqësinë dhe privilegjin që t’i akordoja sot profesor Lammertit Dekoratën e Heroit tonë Kombëtar ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’. Rruga e Shqipërisë është pa kthim dhe ka vetëm një,vetëm një alternativë që është ajo e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Identitetin europian të popullit tonë, të kombit tonë e ka përcaktuar kjo figurë e madhe. Dhe jam gjithashtu i bindur se edhe profesor Lammerti, edhe Fondacioni ‘Konrad Adenauer’, edhe të gjithë partnerët tanë në Gjermani do të vazhdojnë të na ndihmojnë që ta përmbushim me sukses dhe natyrisht edhe ne do ta ndihmojmë veten më shumë besoj.”


TË NGJASHME