HomePolitikë

Meta publikon raport shpjegues për “Venecian”, ja çfarë përmban

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka publikuar sot raportin shpjegues, të cilin e ka diskutuar me Komisionin e Venecias. Në një raport të gjatë, kreu i shtetit tregon të gjitha hapat se pse ai zgjodhi të zhdekretonte datën e zgjedhjeve lokale me 30 qershor.

Raporti 55 faqesh, i publikuar në faqen zyrtare të Presidentit thekson se zgjedhjet e zhvilluara vetëm me pjesëmarrjen e socialistëve janë të paligjshme dhe nuk krijuan alternativa për qytetarët.

001-RAPORT-SHPJEGUES by Anonymous dMtTT2bZ on Scribd

Meta këmbëngul fort duke treguar se Kushtetuta thekson se Presidenti ka të drejtën ekskluzive për të caktuar datën e zhvillimit të zgjedhjeve.  Ai ndalet edhe tek klima e egër politike, e cila fillimisht nisi brenda institucioneve dhe më pas, opozita e bashkuar hoqi dorë nga mandatet duke iu rikthyer protestave në rrugë me kërkesën e vetme “largimin e kryeministrit Edi Rama dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon se presidenti i Republikës është organi i vetëm Kushtetues që ka kompetenca ekskluzive  të caktojë datën  e zhvillimit të zgjedhjeve të ligjshme shtetërore. Në zbatim të kësaj dispozite  kushtetuese, Presidenti i Republikës me dekretin  nr. 10.928 datë 05.11.2018 caktoi datën 30 qershor 2019, si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve  për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri. Palët i shprehën Presidentit të Republikës dakord sinë e tyre për një zhvillim  të zgjedhjeve vendore me 30 qershor 2019, edhe pse ndodheshin në kushte e një klime politike të polarizua politike, por gjithmonë brenda institucioneve”-thuhet mes tjerash në raport.

Mes tjerash raportit ka identifikuar 21 shkelje, problematika dhe veprime, të cilat janë ndërmarrë që nga caktimi i 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, shfuqizimi i dekretit e deri te raporti i OSBE/ODHIR për procesin e votimit. Kreu i Shtetit ndalet gjithashtu edhe tek dosjet e bujshme 184 dhe 399, të cilat ndikuan në “zhvlerësimin e përpjekjeve” të  Presidentit për vendosjen e dialogut midis partive politike.

Presidenti jep 16 arsye se pse vendosi të ndërhynte për shtyrjen e 30 qershorit, ku thotë se po synonte t’u jepte palëve kohë për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut.

Çfarë thuhet në konkluzionet e raportit:

Në kushtet e një krize të rëndë të paprecedentë politike, kushtetuese, institucionale dhe
përfaqësimi ku:
1. Palët politike u vendosën në një kurs konstant përplasjeje dhe refuzuan dialogun;
2. Opozita hoqi dorë në bllok nga mandatet parlamentare. 182 deputetë dhe kandidatë
për deputetë të opozitës u dorëhoqën dhe refuzuan në bllok mandatet parlamentare.
3. Opozita parlamentare aktuale përftoi mandatet në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe
procedurave legjislative;
4. Parlamenti nuk u plotësua me numrin kushtetues të 140 deputetëve për shkak të
shterimit të listave të kandidatëve nga partitë e opozitës;
5. Parlamenti humbi rolin mbikqyrës ndaj ekzekutivit;
6. Parlamenti dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzojnë njohjen e autoritetit
kushtetues të Presidentit të Republikës;
7. Gjykata Kushtetuese është jo funksionale prej 18 muajsh;
8. Gjykata e Lartë është jo funksionale;
9. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm u zgjodh në mënyrë të njëanshme
antikushtetuese;
10. Prokuroria nuk veproi për zbardhjen e krimeve zgjedhore të konsumuara në vitet 2016
– 2017 – Dosjet 184 (Bashkia Dibër) dhe 339 (Bashkia Durrës);
11. Opozita refuzoi regjistrimin si konkurrent zgjedhor për zgjedhjet lokale;
12. Mazhoranca këmbënguli të garonte e vetme për të marrë në administrim të 61
bashkitë e vendit dhe këshillat e tyre;
13. Zhvillimi i protestave periodike kombëtare të shoqëruara me akte dhune dhe
vandalizmi si dhe reagim shproporcional nga forcat e rendit, me pasojë plagosje të
shumta nga policia e shtetit dhe qytetarët;
14. Përdorimi i gjuhës armiqësore dhe thellimi i ndasive çoi në rritjen e frustrimit
shoqëror dhe emigracionin masiv;
15. Rritja e pasigurisë ndikoi në ekonominë e vendit.
16. Refuzimi i Kryeministrit për të pranuar ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës e në
vecanti përcaktimin e një date të re gjithëpërfshirëse përvec 30 qershorit;

Presidenti i Republikës vlerësoi se duhet të ndërhynte në mënyrë të tillë që t’u ofronte palëve kohë për reflektim dhe për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut të pazëvendësueshëm politik, duke siguruar njëkohësisht moscënimin e parimeve kushtetuese të pluralizmit politik dhe kthimin e paqes sociale në vend. E gjithë sjellja e Presidentit të Republikës dhe përpjekjet e tij, duke qenë shumë i ndërgjegjshëm dhe për detyrimet që duhen përmbushur veçanërisht për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE, kanë synuar shmangien e një konflikti civil, të një procesi të dështuar zgjedhor dhe realizimin e zgjedhjeve vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike për të përmirësuar besueshmërinë e vendit në përmbushjen e kritereve politike në prag të 17-18 tetorit 2019, kur do të merret vendimi i Këshillit Europian për Shqipërinë.

Capture

TË NGJASHME