HomeLajme

Meta rikthen në Kuvend një tjetër ligj

Presidenti Meta ka rikthyer në Kuvend projektligjin për vettingun në polici, i propozuar nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Sipas tij, ky ligj duhet të rikthehet edhe njëherë në Parlament, pasi ndryshimet që pësoi nisma ligjore lënë të kuptohet se qeveria po tenton të kontrollojë këtë proces me anë të një strukture në varësi të saj.

Kthimin e ligjit, Presidenti e mbështet në këto argumenta:

I. Së pari, dispozitat e ligjit nr.20/2019, cenojnë standardet e vendosura dhe pavarësinë e procesit të vlerësimit kalimtar të parashikuar me ligjin nr. 12/2018, si dhe krijon terren që ky proces të ketë ndikim politik. Mekanizmi i ri i miratuar në ligjin nr. 20/2019, sipas të cilit punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) do të kryejnë vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, nuk garanton standardin e vendosur për realizimin e këtij procesi me objektivitet, pavarësi dhe paanshmëri. Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare të miratimit të këtij ligji një vit më parë, ka rezultuar se, për hartimin dhe miratimin e këtij ligji kanë bashkëpunuar të gjitha forcat politike në Kuvendin e Shqipërisë si pozita, ashtu edhe opozita. Ky ligj është votuar me 88 vota pro, 1 kundër dhe 32 deputetë kanë abstenuar, duke reflektuar kështu një terren bashkëpunues dhe jo kundërshtues midis forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë.

Këto ndryshime në ligj krijojnë bindjen se, qëllimi real i qeverisë në ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore nuk është zvogëlimin i kostove financiare për realizimin e këtij procesi, por vullnet i shprehur i saj, për ta kontrolluar këtë proces nëpërmjet një strukture vlerësuese në varësi të saj, siç është Shërbimi i Çëshjeve të Brendshme dhe Ankesave, strukturë aktuale kjo drejtëpëdrejt në varësi të funksionit politik të Ministrit të Brendshëm, pra të qeverisë. Argumenti i Këshillit të Ministrave se ky mekanizëm i ri garanton të njëjtin standard për të gjithë procesin, pasi punonjësit e SHÇBA-së do t’i nënshtrohen të njëjtit proces në fazë të parë dhe se nuk ndryshojnë kriteret dhe procedurat e vlerësimit, nuk qëndron ligjërisht.
Presidenti i Republikës, referuar argumenteve të parashtruar me sipër, vlerëson se ligji nr. 20/2019, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””, nuk mund të dekretohet me shpallje, por i duhet kthyer Kuvendit për rishqyrtim me qëllim rivlerësimin e qëndrimit ndaj kësaj çështjeje me rëndësi të lartë publike.

II. Së dyti, ligji nr. 20/2019, eleminon detyrimin ligjor për të përfunduar procesin e vlerësimit kalimtar brenda një afati të caktuar, duke krijuar kështu mundësinë e zgjatjes së tij pa afat dhe një terreni të përshtatshëm për mbajtjen nën presion të vazhduar të forcave policore nëpërmjet forcës ndëshkuese të mekanizmit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut) nga struktura e SHÇBA-së.

Mospërcaktimi i kohës së mbylljes së procesit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut), krijon terren që ky proces të përdoret si një mekanizëm ndëshkimor, apo shantazhues për gjithë strukturën policore, çka mund të sjellë një situatë shqetësuese në këtë strukturë. Konkretisht, mospërcaktimi i afatit se kur përfundon procesi vetting mund të sjellë:

a) rrezikun e ndikimit dhe presionit të vazhduar ndaj veprimtarisë së përditshme të forcave policore;
b) mund ta zgjasë kohën e qëndrimit brenda forcave policore të individëve që nuk e meritojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës dhe që, për shkak të profilit të tyre, janë lehtësisht të shantazhueshëm


TË NGJASHME