HomeSociale

Meta: Shqiptarët nuk do të lejojnë kurrë më instalimin e një diktature

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë, Flamuri i Kombit (pas vdekjes), Heroin e Popullit, Vasil Laci, me motivacionin “Atdhetarizmi antifashist”.

“Me aktin e tij heroik dhe vetëflijues u tregoi të gjithë shqiptarëve e veçanërisht rinisë, se rruga drejt lirisë dhe çlirimit të atdheut kalonte vetëm përmes fuqizimit të rezistencës së paepur ndaj pushtuesve dhe gatishmërisë edhe për sakrificën më sublime. Atentati i tij kundër uzurpatorit të fronit të Shqipërisë ishte demonstrimi më kuptimplotë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitetit shtetëror dhe kombëtar”– shkruhet në motivacionin e presidentit Meta.

Sot është 79-vjetori i vdekjes së Vasil Lacit dhe Meta kërkon të përçojë edhe një mesazh nëpërmjet kësaj, si thirrjet për lirinë e fjalës dhe mendimit dhe paralajmërimet për regjimet diktatoriale.

“Vasil Laçi mbetet hero edhe i ditëve të sotme. Duke i kujtuar brezave se liria nuk dhurohet por fitohet. Se çdo formë tiranie kërkon qëndresë, reagim individual por edhe kombëtar. Një popull që harron të kaluarën nuk e gjen dot rrugën për të ardhmen e tij për liri. Ndaj edhe ne duhet të edukojmë më shumë brezat e rinj mbi historinë e heronjve tanë që ata të mësojnë dhe kuptojnë se sa e shtrenjtë ka qenë dhe është liria që ne gëzojmë sot.

Një liri, që nuk u fitua një herë e përgjithmonë dhe që nuk mund kurrë të jetë e tillë, por që duhet ruajtur dita-ditës ndaj çdo forme diktature apo tiranie. Ndaj çdo regjimi të çdo kohe që shtyp lirinë e fjalës, të mendimit, dhe të drejtave themeltare për të jetuar një jetë të denjë, sovrane dhe me integritet. Populli shqiptar është një popull i pasur pasi ka në gjirin e vet të rinj e të reja, punëtorë dhe intelektualë, njerëz të zakonshëm të cilët e duan Shqipërinë dhe do përballen gjithnjë kundër çdo tiranie, madje njerëzit e thjeshtë japin shembujt më të mirë kur elitat korruptohen me tiranitë vendase apo të huaja.Falë kësaj dashurie për lirinë, shqiptarët nuk do kthehen më kurrë në diktaturë, dhe i madh e i vogël në këtë vend nuk do lejojë instalimin e asnjë regjimi tiranik dhe anti-kombëtar, por ata do ecin përpara krenarë dhe me dinjitet drejtë së ardhmes demokratike dhe evropiane të vendit, një ëndërr lirie e heroit tonë Vasil Laçi, një ëndërr e çdo të riu shqiptar edhe sot e përgjithmonë.”, tha Meta në fajlimin e tij gjatë ceremonisë së dekorimit. 

K.S/GotaNews


TË NGJASHME