HomePolitikë

Meta: Situata emergjente prevalon mbi çdo iniciativë/ Flet edhe për Kushtetutën

Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka ndryshuar mendim përsa i përket mënyrës se si mund të bëjë përpara vendi, megjithatë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit ai ka vendosur ta shtyjë për një kohë të pacaktuar tubimin e thirrur prej tij në 8 dhjetor, për mbrojtjen e demokracisë dhe kushtetutës.

Sigurisht që kjo situatë prevalon mbi çdo lloj iniciative tjetër. Tani është momenti i bashkëpunimit, i bashkëveprimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe, me të cilën po ndeshet vendi dhe sidomos mijëra e mijëra familje të qarkut të Tiranës, të qarkut të Durrësit, të qarkut të Lezhës, por edhe në zona të tjera që janë dëmtuar më pak. Kjo është prioritare dhe sigurisht që nuk është koha dhe nuk është momenti për të krijuar apo për të mbajtur një fokus tjetër. Sigurisht që kjo nuk do të thotë se unë kam ndryshuar mendim se cila është rruga që do të çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë shqiptarët të ndihen zot të vetes së tyre dhe të vendit të tyre. Kjo është vetëm një rrugë dhe është rruga e referendumeve, por natyrisht nuk është koha më 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga terreni, nga ndihma, nga përkrahja që po u bëjnë bashkëqytetarëve të tyre”, deklaroi Meta gjatë një interviste.

Përvec situatës emergjente që po përjeton vendi, Meta foli dhe për krizën politike dhe kushtetuese të e cila sipas tij është shkaktuar nga mungesa e dialogut politik dhe mungesa e marrjes së përgjegjësive për pasojat që po kalon vendi.

Unë mendoj se rruga më e sigurt që Shqipëria të lërë pas këtë status-quo të krizave të vazhdueshme artificiale, të mungesës së dialogut politik, por për fat të keq edhe të mungesës së marrjes së përgjegjësive për të gjitha pasojat, që pëson vendi apo që pësojnë qytetarët, është rruga e zbatimit të detyrimit kushtetues që populli shqiptar ka vendosur vetë me referendum më 22 nëntor 1998, që ai për çështje të veçanta të shprehet vetë me referendum, pavarësisht qëndrimit apo vlerësimit të forcave të caktuara politike.

Mendoj që kjo do të bënte të mundur që partitë dhe palët të jenë nën presionin e qytetarëve, të interesit të tyre, të interesit publik, të interesit kombëtar dhe jo për fat të keq si deri tani qytetarët shpesh janë viktimë e palëve, e mosmarrëveshjeve të tyre, e mosmarrjes së përgjegjësive nga ana e tyre dhe po kështu edhe vendi.

Kështu që kjo është rruga më e sigurt për mua pas kësaj përvoje kaq të gjatë, që do ta çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë të gjithë shqiptarët të kenë zë, të dëgjohen dhe mbi të gjitha të vendosin vetë”, shtoi Presidenti.

Presidenti Meta ka bërë sot një paralelizëm të fortë mes  ndryshimeve të Kushtetutës dhe tërmetit të goditi vendin në 26 nëntor.

Në një intervistë televizive, Meta tha ndër të tjera se “duhet të kuptojmë që themelet e Kushtetutës, për fat të keq, do të më duhet të bëj paralelizëm me tërmetin, janë goditur po aq fort”.

Ai theksoi se ndryshimet kushtetuese kanë dëmtuar kontrollin dhe balancën mes pushteteve duke nënvizuar këtu ndryshimet e vitit 2008.

“Ajo që ka ndryshuar dhe që është dëmtuar është një parim serioz i kontrollit dhe i balancës, përmes ndërhyrjeve të papranueshme që ndodhën në prill të 2008-s, ku drejtuesit e dy partive kryesore, për fat të keq me bekimin e disa ambasadorëve, për të kaluar një krizë momentale apo për të plotësuar disa interesa të ngushta partiake, bënë për dy ditë disa ndryshime jashtë çdo procedure dhe rregulli, të cilat vinin në kundërshtim me disa nga parimet kryesore të Kushtetutës së parë dhe të mekanizmave që ajo kishte fiksuar për të mbajtur sa më të qëndrueshëm kontrollin dhe balancën e pushteteve në Shqipëri.

Me lista të mbyllura nga 2008-ta deri tani e kemi të vështirë të flasim për një demokraci të mirëfilltë parlamentare. E shohim sesi deputetët në rresht ngrenë kartonin për të shkelur çdo nen të Kushtetutës edhe në mënyrën më flagrante siç ka ndodhur. Shohim që politika është përqendruar vetëm në disa persona të cilët kushtëzojnë jetën e gjithë të tjerëve, deputetëve apo kandidatëve të mundshëm në për lista apo kryetarëve të bashkive dhe në këtë mënyrë shohim që qytetarët nuk kanë ku të ankohen.”, tha Meta ndër të tjera.

Sa i përket thirrjes së tij për referendum, Meta tha se ajo nuk është e vonuar pasi e ka kërkuar këtë gjë vazhdimisht edhe në të shkuarën.

“Unë e kam ngritur në 2008-n madje kur janë bërë këto ndryshime, kur me disa kolegë të tjerë deputetë të forcave të ndryshme jashtë PD-së dhe jashtë PS-së kemi bërë dhe një grevë urie në Kuvendin e Shqipërisë. Ka pasur dhe një forum për mbrojtjen e Kushtetutës në atë kohë, ku merrnin pjesë dhe shumë aktivistë të shoqërisë civile si i ndjeri Andrea Stefani, analisti i njohur Artur Zheji, Sazan Guri e shumë personalitete të tjera.

Në vijimësi unë kam qenë gjithmonë për rishikimin dhe kam thënë gjithmonë që asnjëherë nuk do pajtohem me ndryshimet që u bënë në prill të 2008 në Kushtetutë sepse për mendimin tim ishte një sjellje tërësisht e padenjë për klasën politike, pasi një Kushtetutë që e voton populli ti nuk mund ta ndryshosh për dy ditë e për dy netë. Sepse që në këtë moment themelet e këtij shteti ligjor i ke vënë në diskutim dhe siç ndryshohet për dy ditë, mund ta ndryshosh nesër për dy orë. E vetmja rrugë për ndryshime Kushtetuese do ishte vetëm referendumi sepse vetëm qytetarët mund të vendosnin nëse do të ndryshonin apo jo disa nga ato rregulla mjaft të rëndësishme që ata votuan për të garantuar të drejtat e tyre Kushtetuese dhe parimet kushtetuese me të cilat ndërtohet ky shtet.”, deklaroi Meta


TË NGJASHME