HomeSport

Michael Schumacher nuk ndodhet më në koma, është ngritur në këmbë

Më 29 dhjetor mbushen 5 vjet që nga aksidenti i tmerrshëm që Michael Schumacher pësoi në një pistë skish duke u “zhdukur” praktikisht nga vëmendja publike.

Që prej asaj dite të errët për familjen dhe miliona mbështetës të 7-herë kampionit të Formula 1, shumë gjëra kanë ndodhur. Lewis Hamilton ka thyer rekordin e gjermanit për pole position në karrierë, 83 me 68. Megjithatë, ish-piloti i Benetton, Ferrari dhe Mercedes mbetet në avantazh për sa i përket garave të fituara (91 me 73) dhe titujve kampion (7 me 5).

Tifozi i tij i zellshëm, Sebastian Vettel, ka ndjekur gjurmët e tij te Ferrari por nuk ka mundur të përsëri suksesin e tij. Madje edhe djali i tij Mick, i cili ishte vetëm 14 vjeç kur babai u aksidentua, tashmë është kampion i Formula 3 dhe premton të ndjekë gjurmët e Shumacher në Formula 1.

Por edhe pse deri tani pak është folur për rikuperimin e gjermanit, “Daily Mail” raporton se Schumi ka bërë përmirësime në javët e fundit e madje është çuar në këmbë, nuk qëndron më i shtrirë në krevat dhe nuk mbijeton më vetëm falë pajisjeve.

Gjithsesi, trajtimi të cilit po i nënshtrohet kushton më shumë se 55 000 euro në javë dhe përkundër asaj që është raportuar muaj më parë, ai vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e tij në Gland të Zvicrës dhe nuk është transferuar në Majorka.


TË NGJASHME