HomeSport

Milan rrëmben Paquetën nga Flamengo

Sipas të përditshmes braziliane, “Globoesporte”, “djalli kuqezi” ka zhvilluar një operacion “blic” të kryesuar nga Leonado, i cili brenda një nate ka sfumuar konkurrencën e Paris SG dhe ka arritur marrëveshjen me Lucas Paqueta, një fantazist i lindur në vitin 1997 që luan aktualisht me Flamengon, i konsideruar si ylli më i ri në futbollin e vendit të Sambës.

Një operacion ky që duket se ka sfiduar edhe Neymarin, i cili prej kohësh ishte impenjuar për ta bindur të vishte fanellën e klubit parizien. Arritja e marrëveshjes është bekuar edhe nga Gattuso, ndërkohë që shifrat e para të tratativës vërtiten në rreth 35 milionë euro, plus bonuset, ndërsa vizitat mjekësore janë programuar pikërisht këtë javë në Itali, përpara se të zbarkojë në Milano gjatë muajit janar.

Tratativa duhet të konsiderohet virtualisht e mbyllur, thotë “Globoesporte”, falë edhe zgjedhjes së vet lojtarit, që te Milani do të gjente më shumë hapësira sesa te PSG-ja. Te kuqezinjtë, ku shpresohet që ai të jetë “Kakàja i ri”, Paqueta mund të aktivizohet qoftë si mesfushor, në vend të Kessie apo Bonaventurës, ashtu dhe në treshen sulmuese, duke u alternuar me Suson apo Calhanoglunë.

Sa për paraqitjet e tij deri më tani, këtë vit, Paqueta ka zhvilluar 48 ndeshje zyrtare, ka shënuar 11 gola nga 69 gjuajtje në portë, ka dhënë 6 asiste, teksa ndaj tij kanë ndërhyrë në mënyrë të gabuar 64 herë. Të dhëna këto që i kanë garantuar atij grumbullimin me “Seleçao”-n, e sigurisht edhe fokusin e shumë skuadrave të mëdha, por mbi të gjitha të Milanit të Leonardos, një ish-lojtar i Flamengos.


TË NGJASHME