HomeSport

Milanit i duhet mbrojtës, kuqezinjtë i kërkojnë nder Juves

Milani kërkon një regjisor, mbase një sulmues të dytë, por me siguri një mbrojtës. Emri më i ri është ai i Merih Demiralit. I transferuar për 18 milionë euro nga Sasuolo te Juventusi, 21- vjeçari mund të ishte një element cilësor dhe njëkohësisht me perspektivë për prapavijën kuqezi.

Nuk ka pasur oferta konkrete, por sipas mediave italiane, “Djalli” ka bërë një sondazh. Pas Kielinit, Ruganit, Bonuçit dhe ndoshta De Ligtit, Demiral do të ishte qendërmbrojtësi i pestë në hierarkinë bardhezi. Megjithatë, trajneri Sarri e admiron, aq sa ka kërkuar që klubi të huazojë të sapoblerin tjetër Romero (26 milionë euro), vetëm për të pasur në organikë turkun 1.92 m. Përveç teknikut, një tjetër pengesë është Sasuolo.

Zigjelbrit në kontratën e shitjes së lojtarit kanë përfshirë një klauzolë, sipas së cilës ai nuk mund të largohet apo huazohet nga Juventusi në vitin e parë të kontratës, ndaj në këto rrethana drejtuesit e Milanit duhet të marrin të tjera drejtime për të plotësuar nevojat e Xhampaolos për një mbrojtës të katërt në skuadër.

demiral juventus

ALTERNATIVA 

Liverpuli vijon të mbajë në shitje Dejan Lovrenin, madje për ta larguar drejtuesit e klubit anglez kanë ulur edhe pretendimet. Nga 20 milionë euro në fillim, “të kuqtë” mund të kënaqen edhe me 17 milionë euro, një shifër që e bën kroatin më të arritshëm për Milanin.

“Djalli” po monitoron edhe profile të tjera, por më ndërhyrjen e Bobanit dhe një ulje tjetër nga Liverpuli, ai mund të ishte prurja në mbrojtje për të cilën ka nevojë Marko Xhampaolo, pasi Muzakio, Romanjoli dhe i dëmtuari Kaldara nuk mjaftojnë për të përballuar një sezon të tërë. 29-vjeçari mbetet një objektiv, por synimi i kuqezinjve është që të paguajnë sa më pak. Një shumë rreth 12-13 milionë euro do të ishte shifra ideale, aq më tepër që kroati ka vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij me “The Reds”. Oferta në fjalë mund të materializohet në javën në vijim, aq më tepër që Maldini dhe drejtori Masara nuk kanë piketuar ndonjë emër tjetër, të paktën për momentin.


TË NGJASHME