HomePolitikë

Ministri i Jashtëm gjerman: Vendimi i Bundestagut do bindë edhe skeptikët

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, mendon se kushtet e vendosura nga Bundestagu për Shqipërinë do të bindin edhe vendet skeptike si Franca dhe Holanda, për të votuar pro çeljes së negociatave për Shqipërinë.

Maas reagoi dje pas vendimit të Parlamentit gjerman, që mandatoi Kancelaren Merkel të votojë pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, më 17 tetor, në Këshillin Europian.

“Aprovimi nga Parlamenti gjerman për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një sinjal i rëndësishëm. Kjo tregon rëndësinë që Ballkani Perëndimor ka për BE-në. Dy vendet duhet të vazhdojnë reformat integruese. Kam besim se kushtet e propozuara nga Parlamenti gjerman mund të bindin të tjerët në BE, për të nisur negociatat e anëtarësimit”, tha Maas. Tashmë pritet përgjigjja e Francës dhe Holandës, që janë dy nga vendet e tjera skeptike për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

VENDIMI I BUNDESTAGUT

Dy ditë më parë, Parlamenti gjerman vendosi hapjen e negociatave me kushte për Shqipërinë dhe pa kushte për Maqedoninë e Veriut. Shqipëria mori 365 vota pro dhe 188 kundër dhe 16 abstenime, ndërsa për Maqedoninë e Veriut 465 vota pro. Në debatin prej 45 minutash në Parlamentin gjerman, nuk munguan edhe çështjet konkrete të jetës politike në Shqipëri. Përfaqësuesi i CDU/CSU, Peter Beyer, në fjalën e mbajtur para Bundestagut për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u ndal edhe te dënimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Retorika e përfaqësuesit të CDU/CSU ishte e ashpër, ndërsa theksoi se Shqipëria me këtë dënim nuk mund t’i hedhë hi syve Gjermanisë. “Nuk mund të na hidhni dot hi syve me atë dënim”, tha ai. Deputeti tjetër i CDU/CSU, Florian Hahn, theksoi se Shqipëria ka bërë përparim në sistemin e gjyqësorit, por tha se i duhet ende punë në luftën kundër korrupsionit.

“Po të votojmë për Shqipërinë, i japim një shans historik. Kemi vendosur kritere shumë të forta për Shqipërinë, të ndara në dy faza. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim”, tha Florian Hahn. Shqipëria do të duhet të plotësojë deri në pranverën e ardhshme dy nga nëntë kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman, nëse merret një Po edhe nga Këshilli Europian, miratimi i Reformës Zgjedhore dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

CDU

Në një intervistë ekskluzive për “Deutsche Wellen”, nënkryetarja e Grupit Parlamentar CDU/CSU, Katja Leikert, tregoi dje pse Bundestagu votoi pro Shqipërisë dhe pse me nëntë kushte. “Jemi konsultuar shumë gjatë në Bundestagun gjerman. Me Shqipërinë, pa dyshim, u morëm shumë më tepër. Ne e dimë se situata politike e brendshme nuk është demokratike në kuptimin tonë. Opozita ka braktisur Parlamentin, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. E dimë se ka ende probleme me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Por ne thamë po, sepse donim që t’u jepnim shqiptarëve sinjalin nga Bashkimi Europian se janë të mirëpritur në Europë dhe se ky është drejtimi i tyre.PANORAMA


TË NGJASHME