HomeSociale

Ministria e Drejtësisë hap garën për drejtorë burgjesh

Ministria e Drejtësisë ka hapur garën për drejtorë burgjesh, duke paralajmëruar kështu ndryshime në drejtimin e disa prej institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Me anë të një njoftimi për mediat, Ministria e Drejtësisë bëri të ditur kriteret dhe mënyrën se si do të bëhet përzgjedhja. Procesi tashmë ka nisur dhe Ministria, pas kandidaturave të para pritet që në datën 30 gusht të bëjë intervistat me personat e interesuar.

KRITERET

Në njoftimin e Ministrisë renditen kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët e interesuar, ku ndër to kërkohet njohja e gjuhës shqipe në të shkruar dhe të folur. Më tej, kandidatët duhet të jenë në kushte shëndetësore që i lejojnë të kryejnë detyrën përkatëse.

Të zotërojë të paktën diplomë të nivelit Master Shkencor ose Master Profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike apo të barasvlershme me to sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët: Ekonomi, Drejtësi, Punë Sociale, Sociologji, Psikologji ose diploma të barasvlershme me to në fushën e rendit, sigurisë publike dhe mbrojtjes. Të ketë një përvojë pune për të paktën 10 (dhjetë) vjet në pozicione, nga të cilët 3 (tre) vjet në pozicione drejtuese në Administratën Publike, në Sistemin Penitenciar, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, institucionet ndërkombëtare brenda ose jashtë vendit, si dhe institucionet e arsimit të lartë. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje. Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose të mos ketë masë disiplinore në fuqi.

DOKUMENTET

Duke iu referuar njoftimit, kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë brenda datës 23 gusht: jetëshkrimin, fotokopje të diplomës dhe të listës së notave të noterizuara, fotokopje të librezës së punës të noterizuar, fotokopje të letërnjoftimit (ID) ose pasaportës, raport mjeko-ligjor, vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore, vërtetim nga Prokuroria për mosqenie në ndjekje penale dhe çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit. “Aplikimi dhe dorëzimi i dokumenteve të bëhet nëpërmjet postës eletronike info @drejtesia. gov. al ose dorazi brenda datës 23. 08. 2019, në Ministrinë e Drejtësisë.

PARALAJMËRIMI

Pas shkarkimit të drejtorit të Burgjeve në Lushnjë për lirimin e parakohshëm të një të burgosuri në datën 30 korrik, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se do të nisë një rivlerësim për drejtuesit e burgjeve. Gjonaj shtoi gjatë konferencës së do të niste edhe një proces rekrutimi të personave të rinj, që kërkojnë të jenë pjesë e sistemit të burgjeve. “Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të Policisë dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet në pozicione drejtuese”, tha Gjonaj.


TË NGJASHME