HomeLajmi i Fundit

Ministrja e Kulturës: “Xhevdet, nuk e kishe mbyllur ende misionin mes nesh”

Ministrja e Kulturës, Eva Margariti, ka dhënë një mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit të madh, Xhevdet Ferri.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, ministrja thekson se do kishte dashur të ndante me fansat suksesin e tij të radhës, por fatkeqësisht i duhet të ndajë dhimbjen e largimit nga kjo jetë.

Duke përmendur disa nga filmat, ku Ferri kishte rol, Margariti shkruan se ai nuk e kishte mbyllur ende misionin e tij mes nesh.

“Do kisha dashur të ndaja me ju suksesin e tij të radhës, rolin më të ri, projektin më të afërt, por fatkeqësisht do të duhet të ndaj dhimbjen e largimit nga kjo jetë e një prej aktorëve më të mirë shqiptarë, Xhevdet Feri.

Ai ishte nga ata aktorë që rolin e sillte mes nesh të gjallë, të prekshëm, të vërtetë. Me lojën e tij i ka dhënë më tepër ngjyra galerisë së karaktereve, në filmat shqiptarë dhe do të mbetet i paharruar përmes interpretimesh në filmat “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Hije që mbeten pas”, “Përrallë nga e kaluara”, “Treni niset në 7 pa 5”, “Dasma e Sakos” e shumë e shumë të tjerë, deri te “Delegacioni”, filmi që nisi nga miku i tij i ndjerë, Artan Minarolli e u çua drejt suksesesh nga regjisori Bujar Alimani. Xhevdet Feri, ti nuk e kishe mbyllur ende misionin tënd mes nesh, atë të kultivimit të shijes së mirë në publik e ndër studentë. Qofsh i paharruar! #AktorëShqiptarë#XhevdetFeri #IPaharruar”, shkruan ministrja Margariti.