HomeSport

Mjafton një gol i Suso, Milan mposht minimalisht Spal

Pas ndërrimit të trajnerit, më në fund Milan rikthehet te fitorja. Në ndeshjen e tretë pasi mori drejtimin e Milan, Stefano Pioli arrin të gjejë fitoren e parë. Mbrëmjen e djeshme, ndaj Spal, kuqezinjtë arritën një fitore minimale 1-0.

Pas barazimit ndaj Lecces dhe humbjes në Romë, Pioli kishte bërë disa ndryshime mbrëmjen e sotme, duke aktivizuar nga minuta e parë Piatek, Bennacer, Castillejo e Duarte, dnërsa në stol kishte përfunduar edhe spanjolli Suso, që kohët e fundit ishte kritikuar për paraqitjet e tij.

Pjesa e parë ishte e balancuar, me shumë pak raste shënimi nga të dy skuadrat. Duke parë ritmin e lojës, tekniku Pioli vendosi që në fragmentin e dytë të kryejë disa zëvendësime, duke aktivizuar pikërisht njeriun që do i dhuronte fitoren ekipit, spanjollin Suso.

Në minutën e 63-të, Suso ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke shtangur portierin shqiptar Ertrit Berisha.

Kuqezinjtë tentuan deri në fund të gjejnë golin e sigurisë, ndërsa nga ana tjetër edhe Spali nuk mbeti pas, sepse pa shpesh nga porta e Donnarummës, por në fund mbeti në fuqi rezultati 1-0.

Me këtë fitore Milani ngjitet në vendin e 10 me 13 pikë, ndërsa të dielën në mbrëmje do të presë Lazion sërish në “San Siro”, ku do të kërkojë suksesin e radhës, për të rikuperuar distancën nga zona Champions.


TË NGJASHME