HomePolitikë

Mogherini: Meritoni negociatat

Federika Mogerini, përfaqësuesja më e lartë e politikës së jashtme të BE-së, u shpreh optimiste në Tiranë, për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Mogerini vlerësoi hapat e ndërmarra në Shqipëri, në tre pika, reforma në drejtësi, lufta ndaj kanabisit si edhe progresi i vendit.

“Ju po kaloni një proçes të qenësishëm të reformës në drejtësi. Transformimi po ndodh jo vetëm për të kënaqur komisionin Europian, por për pritshmëritë që kanë qytetarët e këtij vendi. Ajo që është arritur këtu, në reformën në drejtësi, mbetet e pa preçedente jo vetëm për rajonin por do ishte shembull edhe për disa nga vendet e BE-së. Dua të përmend këtu edhe uljen drastike të kanabisit. Vëzhgimet ajrore të kryera nga Italia me mbështetjen e BE-së, dhe me angazhimin e plotë të autoriteteve Shqiptare, për çrrënjosjen e këtij fenomeni po sjellin rezultate mbresëlënëse. Ka patur një sërë aksionesh gjatë këtij viti, që kanë ndihmuar në shpërbërjen e këtyre grupeve kriminale”, ishin këto fjalët e Federika Mogerinit.

Ajo shtoi gjithashtu: “Nuk është vetëm puna juaj por edhe e jona për t’i përmendur këto hapa që ju keni ndërmarrë dhe që keni arritur, pasi ju keni vazhduar të tregoni rezultate dhe unë besoj se ne na duhet të jemi plotësisht mbështetës, të objektivit të Shqipërisë për të çelur negociatat me BE-në. Puna që po bëjmë ne në Komisionin Europian për paketën e ardhshme që do të publikojmë në fund të këtij muaji, do t’a tregojë qartë këtë progres që keni bërë ju.”

Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Shqiptar, Mogerini i bëri thirrje opozitës duke shprehur edhe qëndrimin e Institucioneve të BE-së, partitë politike nuk duhet të kthejnë shpinën rolit që kanë dhe të privojnë qytetarët nga zgjedhja e tyre për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Ndërsa, Kryeministri Rama në fjalën e tij tha se Shqipëria flet tashmë me gjuhën e rezultateve dhe se pret hapjen e negociatave.

Mogerini iu përgjigj interesimit të gazetareve edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke u shprehur se taksa që Kosova i ka vënë Serbisë është kthyer në një problem për dialog. Nëse ajo do të hiqej BE do të bënte thirrje për një seance të re dialogiu, por sipas Mogerin-it këtë e ka në dorë Kosova.


TË NGJASHME