HomeRajon

Mogherini përqafohet me Thaçin, ndërhyn Vuçiç

Mbrëmë në Bruksel u zhvillua një darkë pune e liderëve nga Ballkani Perëndimor me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Ky ishte takimi i fundit në këtë format për Mogherinin, pasi mandati i saj si kreu i diplomacisë evropiane përfundon më 1 dhjetor.

Në një video, të publikuar në kanalin zyrtar të Presidencës së Malit të Zi në YouTube, janë regjistruar detaje  ku shihen liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor teksa përshëndeten, në pritje të Përfaqësueses së Lartë të BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Aty shihet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi teksa shtrëngon duart me presidentë e kryeministra të shteteve të rajonit, e ndër ta edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe atë të Republikës Srpska, Millorad Dodik, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, aty paraqitet edhe Federica Mogherini, e cila përshëndetet me të ftuarit e saj nga Ballkani Perëndimor.

Mirëpo, ajo që i ka bërë përshtypje  presidentit serb, Alekdandar Vuçiq, ka qenë përshëndetja e Mogherinit me Thaçin.

“Hashim, Federica më së shumti ka dëshirë të puthet me ty”, dëgjohet teksa thotë Vuçiçi.

Thaçi nuk dëgjohet ta komentojë në këtë rast, mirëpo Vuçiçi ka vazhduar ta ngacmojë presidentin kosovar.

“Shikoni se si bën sikur nuk merr vesh serbisht, por flet shumë mirë”, thotë Vuçiçi. /Telegrafi/



TË NGJASHME