HomePolitikë

Mos pranimi i komisionerëve nga PD dhe LSI, reagon Kryemadhi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka sulmuar KQZ-në, e cila vendosi sot të mos pranojë komisionerë nga PD dhe LSI për zgjedhjet vendore.

Në një takim me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në njësinë numër. 8 në Tiranë, Kryemadhi tha se KQZ është ilegjitime me 4 anëtar, të cilët i cilësoi “4 kukulla qesharake”.

“Një KQZ ilegjitime siç janë 4 kukullat qesharake të Edi Ramës në Parlament, që recitonin deklaratat e Edi Ramës sot në KQZ, do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe personale për shkeljen e kodit zgjedhor dhe po jua them këtë me bindje të plotë sepse në Shqipëri portokallja është shumë e vogël. Ndoshta në vendet e tjera siç janë vendet e tjera të mëdha edhe portokallja është më e madhe, por këtu është shumë e vogël dhe rrotullohen gjërat shumë shpejt”,- tha Kryemadhi.

Ndërsa u ndal në protestën e 25 Majit, Kryemadhi tha se ajo do të jetë protesta më e madhe dhe më e qëndrueshme.

Sipas kryetares së LSI-së, sot shqiptarët po protestojnë ashtu si dhe në vitet 90-të për të përmbysur regjimin diktatorial, por ndryshe nga vitet 90-të, shtoi ajo, sot po protestohet për të përmbysur regjimin diktatorial të krimit të organizuar.

“ Mendoj që duhet të jemi në aksion. Aksioni i vetëm është protesta e qëndrueshme, protestë e qëndrueshme, protestë e fortë, pjesëmarrje e madhe, përfshirje e të gjithë qytetarëve dhe jo pa qëllim ne kemi marrë iniciativën për daljen në të gjitha njësitë e Tiranës, në mënyrë të tillë që strukturat e LSI të jenë ato që ja u krijojnë infrastrukturën dhe mundësinë qytetarëve të Tiranës për të ardhur në protestat që po organizohen. Dhe sidomos protesta e 25 Majit që do të jetë vazhdimësi e të gjithë protestave të tjera që kanë ndodhur, që çdo protestë vjen duke u shtuar pjesëmarrja e bën akoma më të bukur sepse nuk janë vetëm partitë politike që marrin pjesë. Partitë politike janë organizatore, por janë qytetarët ata që janë pjesa më e madhe që marrin pjesë në të gjithë këto protesta masive. Protestat kanë qenë protestat më të mëdha që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri, ato janë protestat më të mëdha në Shqipërinë më të rrudhur. Me qindra mijë shqiptarë janë larguar.

Mbi 500 mijë shqiptarë janë larguar në këto tre vite dhe protesta më të mëdha Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë. Janë vetëm ato të vitit 90-të, kur përmbysën dhe rrëzuan regjimin komunist dhe shqiptarët vendosën që të kalojnë në demokraci. Po i njëjti rrezik të para 30 viteve është rikthyer dhe sot shqiptarët janë po përsëri në numër shumë të madh për të protestuar dhe për të përmbysur këtë regjim diktatorial që ka instaluar Edi Rama, por nuk është më regjim diktatorial komunist, por është regjim diktatorial i krimit të organizuar, i cili jo vetëm që ka marrë peng jetën e shqiptarëve, por ka marrë peng edhe të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Prandaj 25 Maji është dita që ne do të vazhdojmë protestën tonë. Protestë madhështore, protestë të qëndrueshme. Një nga protestat që do të jetë edhe më e madhe se protestat e tjera”, u shpreh  Kryetarja e LSI-së.


TË NGJASHME