HomeSociale

Moti i keq, pezullohet mësimi në Gjirokastër: MM: Emergjencat në gatishmëri

Reshjet e denduradëborës gjatë natës kanë krijuar probleme në disa akse rrugore në vend, ku duket se gjendja është më e rëndë në qarkun e Gjirokastrës, ku është pezulluar mësimi në të gjitha shkollat për shkak të motit të keq.

“Janë kontaktuar të gjithë prefektuarat dhe rezulton se janë organizuar dhe funksionojnë shtabet e emergjencave”, njofton MM.

Më tej raportohet se “Në akset kryesore nacionale nuk ka bllokim rrugësh, ndonëse disa janë të detyrueshme të lëvizin me zinxhirë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila shton se është në kontakt të vazhdueshëm me Autoritetin Rrugor, Policinë e Shtetit dhe prefekturat dhe te gjitha institucionet.

Bëhet e ditur se Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile është nisur drejt Qafë-Thanës për të inspektuar punën që po behet atje.

SITUATA NË GJIROKASTËR:

Në Bashkinë Gjirokastër ka rreth 25 cm borë në qytet dhe mbi 35 cm borë në njësitë administrative. Të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Gjirokastër janë të bllokuara.

Në Bashkinë Libohovë, trashësia e dëborës është rreth 30 cm dhe të gjitha njësitë Administrative janë të bllokuara. Po punohet për hapjen e rrugës kthesa e Libohovës-Qytet.

Në Bashkinë Dropull të gjitha njësitë administrative janë të bllokuara dhe trashësia e dëborës është rreth 30 cm.

Në Bashkinë Tepelenë janë të bllokuara njësitë administrative dhe trashësia e borës është mbi 35 cm. Në qytet ka rreth 25 cm borë.

Në Bashkinë Memaliaj janë të bllokuara njësitë administrative Buz, Luftinjë, dhe fshatrat Gllave, Maricaj, Arres, Zhapokike. Në njësitë administrative Krahes dhe Qesarat fshatrat Levan , Allkomemaj, Kamcisht, Xhaxhaj, Koshtani, Toç janë të bllokuar.

Me vendim të DAR Gjirokastër procesi mësimor në të gjithë territorin e qarkut nuk do të zhvillohet dhe do të zëvendësohet në një kohë të dytë. Në një numër të vogël shkollash në Përmet dhe Tepelenë ku kishte filluar mësimi u mor vendimi për ndërprerjen e mësimit.

Situata e energjisë elektrike është normale, ndërsa situata e rrugëve është kjo: “Segmenti rrugor Jorgucat-Muzine kalohet me zinxhirë, aksi rrugor Kalavie-Krahs kalohet me kujdes me zinxhirë. Aksi rrugor Përmet-Carshovë kalohet me zinxhirë. Po punohet ne aksin rrugor Ura e Leklit-Përmet për pastrimin e tij. Aksi rrugor Erind-Çajup është i bllokuar”.


TË NGJASHME