HomeSport

Mourinho merr një bonus të majmë nëse siguron prezencën në ‘Champions League’

Ardhja e Jose Mourinho-s në krye të Tottenham ndryshoi jo pak gjëra tek skuadra londineze, që tani e sheh veten në renditjen e ‘Premier League’-ës, më pranë vendit të katërt, që të siguron prezencën në ‘Champions League’. Mesa duket, pikërisht pjesëmarrja në kompeticionin elitar të klubeve europiane është edhe objektivi kryesor i trajneri Jose Mourinho, i cili ka mjaftueshëm arsye për të punuar për këtë gjë. Në rast se portugezi do t’ja dalë të rendisë Tottenham mes 4 vendeve të para, atëherë ai do të marrë një bonus nga ana e presidentit Levi prej plot 2 milionë paundësh. Distancat aktuale me vendin e katërt, që mbahet nga Chelsea, janë 9 pikë, që janë mëse të rikuperueshme. Në fakt, rezultatet negative të Tottenham në 3 ndeshjet e fundit në ‘Premier League’ ishin ato që komplikuan sërish situatën e ‘Spurs’-ave, të cilët nuk duhet të tolerojnë më humbje si ato ndaj Southampton apo barazime si në transfertën e Norwich, që për momentin mban vendin e fundit.

Gjithësesi, duke parë faktin që londinezët po punojnë për t’u përforcuar në këtë merkato, është e qartë që Mourinho do të kërkojë të marrë maksimumin nga lojtarët e tij dhe sigurisht që bonusi prej 2 milionë paundësh në rast arritjeje të vendit të katërt, e frymëzon mjaftueshëm trajnerin portugez për të shtyrë sa më shumë. Së fundmi, pjesë e skuadrës së tij u bë edhe Gedson Fernandes, i cili u transferua nga Benfica si huazim me të drejtë blerje. Jose Mourinho u bë trajneri i Tottenham në nëntorin e kaluar, kur mori vendin e të shkarkuarit Mauricio Pochettino. Tekniku portugez ka një kontratë që e mban të lidhur me ‘Spurs’-at deri në qershor të vitit 2023, nga ku përfiton rreth 15 milionë paund në sezon.


TË NGJASHME