HomeShëndeti

Mungesa e vitaminës D në organizëm

Niveli i ulët i vitaminës D është i lidhur ngushtë me një rrezik në rritje të shfaqjes së një varg problemesh shëndetësore.

Shumica e njerëzve në ditë duhet të konsumojnë rreth 2.000 njësi ndërkombëtare (IU) të vitaminës D ashtu që trupi të funksionojë në mënyrë optimale. Mungesa e vitaminës D mund ta rrezikojë seriozisht shëndetin tuaj dhe ta shkurtojë jetëgjatësinë.

Rreziku i rritur nga depresioni 

Personat me nivel të ulët të vitaminës D në gjak kanë dy herë rrezik më të madh të shfaqjes së depresionit. Vitamina e rregullon funksionimin e hipokampusit dhe pjesëve të tjera të trurit që janë të përfshira në menaxhimin e gjendjes shpirtërore.

Rreziku i rritur nga kanceri i prostatës

Rreziku i shfaqjes së një forme agresive të kancerit të prostatës është madje 4-5 herë më i lartë tek meshkujt, të cilët në trup kanë nivele të ulëta të vitaminës D. Shkencëtarët ende nuk e dinë se cila është arsyeja e saktë, por janë të sigurt se definitivisht ekziston lidhja.

Rreziku i rritur nga dementia dhe Alzheimeri

Të rriturit, të cilët nuk marrin sa duhet vitaminë D, kanë rrezik 53% më të lartë të shfaqjes së dementisë. Mungesa e vitaminës D shoqërohet me rritjen e rrezikut të sëmundjes Alzheimer.

Rreziku i rritur nga artriti psoriatik

Rreth 30% e personave që vuajnë nga artriti psoriatik nuk e marrin sasinë e mjaftueshme të vitaminës D. Artriti psoriatik është një gjendje në të cilën sistemi imunitar i sulmon nyjat dhe shkakton dhimbje dhe inflamacion. Studimet e mëparshme kanë treguar se nivelet e ulëta të vitaminës D mund ta shkaktojnë formimin e gjendjeve inflamatore.

Rreziku i rritur nga sëmundjet e zemrës

Personat me mungesë të vitaminës D kanë rrezik madje 32% më të lartë nga sëmundjet e arterieve koronare. Ata gjithashtu e kanë një rrezik 20% më të lartë të zhvillimit të formave të rënda të sëmundjeve kardiovaskulare. Vitamina D mund ta përmirësojë funksionin imunitar dhe ta reduktojë inflamimin në të gjithë trupin.

Rreziku i rritur nga pneumonia

Rreziku nga pneumonia është madje 2,5 herë më i lartë tek personat që vuajnë nga mungesa e vitaminës D. Studimet e mëparshme kanë treguar se mungesa e vitaminës D e dobëson sistemin imunitar, gjë që e rrit rrezikun e sëmundjeve të sistemit respirativ.

Rreziku i rritur nga skizofrenia

Personat që vuajnë nga mungesa e vitaminës D e kanë një rrezik dy herë më të madh të zhvillimit të skizofrenisë. Megjithatë, duhet kryer hulumtime shtesë për ta kuptuar më mirë lidhjen në mes të marrjes së vitaminës D dhe zhvillimit të skizofrenisë./telegrafi

 


TË NGJASHME