HomeSociale

Mungesë në nxënës, Meta: Të reflektojmë për …

Çelja e vitit të ri shkollor u karakterizua me një rënie të numrit të nxënësve, që u ulën në bankat e shkollës, çka ka nxitur një reagim të presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shprehet:

“Të dashur miq,
Nisja e vitit të ri shkollor është një ngjarje e gëzueshme për shoqërinë tonë. Shumë urime pati dje. Por nga sot duhet të reflektojmë për tkurrjen dramatike të popullsisë, që po ndikon drejtpërsëdrejti edhe në sektorin e arsimit.”

Më tej shkruan:

“Çdo vit që kalon shkollat po përballen me sfidën e uljes së numrit të nxënësve.
Është koha të mendojmë seriozisht për të ardhmen tonë, për t’i dhënë fund antagonizmit të paprinciptë politik që ka sjellë një erozion të tmerrshëm social, jo vetëm vlerash dhe besimi.
Ju ftoj të ndiqni këtë kronikë për të kuptuar më qartë se ç’po ndodh në Shqipëri dhe se kujt i intereson një Shqipëri pa shqiptarë.”

Cila është zgjidhja e kësaj situate sipas presidentit?

“Zgjidhja nuk është largimi por NDRYSHIMI!”

Duke postuar një lajm të Zërit të Amerikës, me titullin “Në Shqipëri vazhdon largimi i popullsisë”, Meta thekson se “nga sot duhet të reflektojmë për tkurrjen dramatike të popullsisë, që po ndikon drejtpërsëdrejti edhe në sektorin e arsimit”.

Lajmi i VOA

Në Shqipëri zona të tëra, jo vetëm malore, por edhe afër qyteteve, po vijojnë të braktisen nga popullsia, ndonëse kanë pasuri dhe investime të mëdha të vetë individëve.

Fshati “Andon Poçi” në Gjirokastër pak vite më parë numëronte rreth 40 biznese dhe 700 banorë, por tani ka vetëm një biznes dhe rreth 80 banorë.

Sipas banorëve arsyeja e mbylljes së bizneseve prodhuese është mosmbrojtja e prodhimit vendas përmes politikave qeveritare. Disa ferma blektorale, të përpunimit të qumështit, madje edhe njësi për riciklimin e mbetjeve që u hapën pas viteve nëntëdhjetë në fshatin “Andon Poçi” tashmë janë mbyllur dhe sipërmarrësit janë larguar sërish në emigracion.

Vilat e banimit në vlerën e disa qindra mijë dollarëve, pothuasje janë braktisur, ndërsa banorët thonë se të rinjtë nuk kthehen për të jetuar në fshatin ku investuan kursimet e emigracionit.

Sipas banorëve, zona megjithëse ka pasuri të mëdha po braktiset prej mungesës së sigurisë për të ardhmen. Ky fshat në Luginën e Drinos është edhe nga zonat e rralla në Shqipëri ku një pjesë e madhe e banorëve vuajtën burgjet dhe persekutimet e regjimit komunist.

Një memorial në qendër të fshatit përkujton dhjetëra persona, familjet e të cilëve u interrnuan dhe u persekutuan në kampet që regjimi komunist ngriti në zona të ndryshme të Shqipërisë.


TË NGJASHME