HomePolitikë

Muri me Meksikën/ Pentagoni akordon 1 miliard dollarë

Pentagoni ka autorizuar transferimin e 1 miliard dollarëve fonde për inxhinierët e ushtrisë në mënyrë që ata të fillojnë ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën.

Fondet janë të parat që akordohen nën emergjencën kombëtare të shpallur nga Presidenti Donald Trump me qëllim anashkalimin e Kongresit dhe ndërtimin e murit që ai e kishte premtuar gjatë fushatës elektorale.

Demokratët kanë protestuar ndaj lëvizjes. Fondet do të përdoren për të ndërtuar një rrethim rreth 91 km të gjatë. Presidenti Trump e ka cilësuar situatën në kufirin jugor një krizë dhe insiston se një barrierë fizike është e nevojshme për të ndaluar kriminelët që të hyjnë në SHBA.

Kritikët e tij thonë se ai ka prodhuar vetë një emergjencë kufitare. Një deklaratë e Pentagonit nënvizonte se Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrik Shanahan, ka autorizuar komandantin e inxhinierëve të ushtrisë amerikane të fillojë planifikimin dhe ekzekutimin e 1 miliard dollarëve në mbështetje të Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe patrullave të doganave dhe kufirit.

Deklarata citonte një ligj federal që i jep Departamentit të Mbrojtjes autoritetin për të ndërtuar rrugë dhe rrethime dhe për të instaluar ndriçim për të bllokuar korridoret e trafikimit në kufijtë e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të aktiviteteve anti-narkotikë të agjencive federale të ruajtjes së ligjit.

Ligjvënësit demokratë janë ankuar ndërkohë se Pentagoni nuk ka kërkuar leje nga komisioni i posaçëm para se të njoftonte Kongresin për transferimin e fondit.


TË NGJASHME