HomeSociale

Nafta, çmimi nuk ulet. Rënia me 8 lekë për litër shkon si fitim për tregtarët

Rënia e ndjeshme e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare gjatë muajve të fundit nuk ka sjellë përfitime për konsumatorët shqiptarë, të paktën deri tani.

Top Channel ka siguruar të dhënat zyrtare për çmimin mesatar me të cilin nafta mbërrin në doganë, për të parë konkretisht se me sa është ulur kostoja e blerjes së këtij produkti në tregjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave nga dogana, në harkun kohor të një muaji çmimi i zhdoganimit të naftës diesel me përmbajtje 10 ppm, ka rënë nga 96.5 lekë për litër që ishte në 23 tetor, në 88.6 lekë për litër. Kjo është kostoja me të cilën nafta mbërrin në doganë, pa përfshirë detyrimet doganore, që e rrisin mbi dyfish.

Por, edhe pse kostoja e naftës është ulur me gati 8 lekë për litër, çmimi në tregun me pakicë nuk ka ndryshuar. Sipas INSTAT, çmimi mesatar i shitjes së një litri naftë në pikat me pakicë ka mbetur në nivele të pandryshuara, saktësisht 167.3 lekë për litër. Kjo do të thotë se e gjithë diferenca që buron nga rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare nuk është përcjellë ende tek konsumatorët, por është mbajtur si shtesë fitimi për tregtarët.

Ashtu si shumica e produkteve në treg edhe çmimet e naftës janë të liberalizuar dhe vendosen nga raporti mes kërkesës dhe ofertës. Por, përtej barrës së rëndë të taksave, tregu shqiptar i karburanteve mbetet i ngurtë duke reflektuar me vonesë rënien e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por jo edhe aq rritjen e tij.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria importon rreth 500 mijë tonë karburante në vit, në një treg që vlerësohet se qarkullon mbi 800 milionë euro në shkallën fundore duke përfshirë dhe prodhimin vendas. Kjo i bën karburantet tregun më të madh në vend për nga volumi i qarkullimit, dhe njëkohësisht produktin për të cilin shqiptarët shpenzojnë më shumë në import./tch


TË NGJASHME