HomeSociale

Naftëtarët e Ballshit: Kërkojmë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës

Që prej ditës së djeshme, naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditën e dytë të grevës së urisë dhe kërkojnë zgjidhjen e problemeve të tyre.

Naftëtarët, të vendosur në një nga mjediset e qendrës shëndetësore në Uzinës së naftës, kanë deklaruar se greva është me afat të papërcaktuar dhe se do të vazhdojnë të protestojnë për kërkesat e tyre.

“Ne këtë grevë do ta çojmë deri në fund. Dy janë kërkesat tona, marrja e pagave dhe rifillimi i punës. Përveç mediave askush tjetër nuk ka ardhur. Do vazhdojmë deri në zgjidhjen e kushteve tona”, deklaroi njëri prej naftëtarëve.

Mbi kokat e tyre, në ambientin që po zhvillojnë grevën, naftëtarët kanë vendosur disa pankarta me mbishkrime duke i kërkuar ndihmë qeverisë, kryetarit të Kuvendit dhe prokurorit të përgjithshëm. Përmendim disa prej tyre: “Zoti Kryeministër kërkojmë pagat tona, jo lëmoshë”, “Zoti Rama na punëso, mos na dëbo, “Zoti Kryeministër nuk jemi shqiptarë që rrimë kafeneve por jemi shqiptarë që kërkojmë punë”, ‘Deputetë të qarkut na mbron nga hajdutët”, “Znj Balluku na lejo të rrisim dhe arsimojmë fëmijët tanë këtu”, “Zoti Ruçi ju mund ti jepni zgjidhje”, “Zoti prokuror i përgjithshëm shpenzo një orë nga dita jote e punës për Uzinën e Ballshit”.

Naftëtarët e Ballshit prej ditësh kanë protestuar për marrjen e pagave të prapambetura dhe rinisjen e punës në Uzinë. Prej aty ata kanë paralajmëruar dhe nisjen e grevës së urisë nëse nuk do ju jepej një zgjidhje.

Kujtojmë se pak më tutje, punonjësit e stacionit të pompimit të Poçemit kanë hyrë në ditën e 6 të grevës së urisë, pasi nuk kanë marrë 27 rroga.

K.S/ GotaNews


TË NGJASHME