HomePolitikë

“Natën ta bëni ditë”! Kjo është porosia e Ramës për drejtuesit e arsimit, 183 shkolla me nga tre turne

“Duhet ta bëni natën ditë”, kjo është thirrja publike e kryeministrit Edi Rama para nisjes së vitit shkollor, për drejtuesit e arsimit.

Këtë thirrje Rama e bëri gjatë një takimi me drejtuesit rajonal të shkollave. Rama i porositi drejtuesit e arsimit që të zbatojnë me përpikmëri udhëzuesin që ka publikuar ministria e Arsimit, ndërsa zbuloi se mbi 180 shkolla do detyrohen ta zhvillojnë mësimin me tre turne.

“Fëmijët nuk janë të imunizuar plotësisht nga ky virus dhe pavarësisht faktit që marrja e virusit nga fëmijët është më pak e rrezikshme, por jo e parrezikshme sesa për më të mëdhenjtë. Zinxhiri i transmetimit nuk ndërpritet aty, por ndodh si për të gjithë të tjerët. Duke parë çfarë ndodh nëpër botë, duke analizuar edhe numrat dhe faktet epidemiologjike në vendet e tjera, padiskutim që jemi të shqetësuar lidhur me domosdoshmërinë për një nivel maksimal performance të zinxhirit të drejtimit të shkollave. Për këtë arsye ministria e Arsimit ka kryer një punë të thelluar dhe ka vënë në dispozicionin tuaj një udhëzues goxha të detajuar për fillimin e viti shkollor.

Përtej çfarë është studiuar dhe duke analizuar me shumë përgjegjshmëri suksesi në zbatimin e tij lidhet me shumëfishimin e energjive që ju dhe skuadra tuaja duhet të vini në dispozicion të këtij viti. Kjo do të thotë duhet ta bëni natën ditë, pa u lodhur dhe pa pushim dhe të jenë në krye të detyrës në terren, ju personalisht dhe me ata që ju punoni për të ndjekur zbatimin e udhëzuesit nga gërma e parë te e fundit. Çështja është për të qenë në këtë detyrë shtetërorë në lartësinë e një humanizmi të spikatur dhe për të qenë shembull dhe burim kurajoje dhe besimi për të gjithë njerëzit e sistemit arsimor, që nga drejtuesit e shkollave, deri te çdo mësues përfshirë dhe prindërit.

Udhëzuesin duhet ta mishëroni ju të parët. E dini shumë mirë që funksionimi i shkollës do të jetë ndryshe nga vitet e tjera dhe shkollat do të funksionojnë deri në 3 turne”, tha Rama.

Kryeministri zbuloi dhe numrin e shkollave që do detyrohen ta zhvillojnë mësimin me tre turne. “1997 shkolla kanë 1 turn, 472 me 2 turne, 183 shkolla kanë tre nënturne”– tha ai gjatë takimit online me drejtuesit e Drejtorive Rajonale dhe zyrave arsimore vendore.


TË NGJASHME