HomeSociale

Ndalohet aborti, ligji i ri shkakton pakënaqësi

Alabama merr masat më të rrepta sa i përket abortit, ku së fundmi është miratuar një projektligj që e bën atë të paligjshëm. Senati i këtij shteti votoi me 25 vota pro dhe 6 kundër, duke refuzuar madje edhe rastet e përdhunimit apo inçestit.

Projektligji pritet t’i shkojë për miratim guvernatores republikane Kay Ivey, e cila deri më tani nuk është shprehur nëse do ta nënshkruajë atë apo jo, megjithëse është shfaqur si kundërshtare e fortë e abortit.

Aktivistë të shumtë shpresojnë që ligji të sfidojë vendimin historik të vitit 1973 nga Gjykata Supreme, e cila ligjëroi abortin në Shtetet e Bashkuara. I njëjti projektligj ishte miratuar më herët gjatë këtij muaji, me 74 vota pro dhe 3 kundër, në Dhomën e Përfaqësuesve të Alabamës.

Aborti, sipas ligjit të ri do të lejohet vetëm në rrethana të caktuara për të garantuar jetën e nënës.

Organizata Kombëtare për Gratë e cilësoi ndalimin si “antikushtetues” dhe tha se përbënte një “përpjekje transparente të mbledhur mbështetje për kandidatët antiabort në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”. Të tjerë e kanë cilësuar këtë si “një ditë të errët për gratë në Alabama dhe përreth saj”.

Por çfarë thanë politikanët e Alabamës për ligjin e ri? Sponsorizuesi i tij, republikani Terri Collin u shpreh se “projektligji e cilëson foshnjën në barkun e nënës si një person”, ndërsa senatori demokrat i këtij shteti, Bobby Singleton tha se projektligji “kriminalizon edhe doktorët” dhe mund të konsiderohet si një “përpjekje e burrave për t’iu treguar grave se çfarë të bëjnë me trupin e tyre”.


TË NGJASHME