HomeSociale

Ndërtuesit nisin punën në pallatet e dëmtuara, IKMT shemb të pariparueshmet

Pas paralajmërimit të fortë të Kryeministrit Edi Rama se ndërtuesit që nuk do të marrin përgjegjësitë për të riparuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti do të përballen me burgun, biznesmenët kanë nisur punën për rikonstruksionin e godinave të dëmtuara.

Në disa lagje të qytetit të Durrësit, ku pallatet janë dëmtuar lehtë nga tërmeti i 26 nëntorit, ka nisur puna për riparimin e dëmeve në mënyrë që banorët të jenë më të sigurt për të vijuar normalisht jetesën. Krahas kësaj, për ndërtesat që nuk mund të riparohen ka nisur shembja.

Dje, forcat e IKMT-së shembën me tritol një pallat 6- katësh në Lagjen Nr.13, e njohur ndryshe si zona e Plazhit të Durrësit, ndërsa shpërthimi është dëgjuar në të gjithë qytetin. Pallati 6-katësh u bë ndërtesa e parë e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, e cila u shemb me shpërthim të komanduar.

5

Në kohën e shpërthimit zona u evakuua. Godina 6-katëshe e ndodhur në stacionin pranë Rrotës së Kuqe, në pronësi të Durim Bodllit, u shpall e pabanueshme si pasojë e dëmeve të shumta nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Operacioni, përfundoi pa incidente pasi gjithçka shkoi spas parashikimeve të ekspertëve, ku ndërtesa u rrëzua nga krahu i rrugës duke shmangur dëmtiin e pallateve ngjitur. Ndërtesa kishte pësuar dëmtime në strukturë dhe u vlerësua e pabanueshme.

6

Ndaj, ekspertët vendosën që ta shembin duke përdorur shpërthim të komanduar. Pallati, sipas të dhënave, ishte ndërtuar rreth 6 vjet më parë, por kishte pësuar dëmtime në strukturë dhe kolonat mbajtëse. Burime nga IKMT ja thanë për gazetën se ditët në vazhdim do të aplikohet në masë shpërthimi i komanduar, pasi në shumë zona mjetet e rënda nuk mund të futen sepse objektet ndodhen të rrethuara nga objekte të tjera. “Shpërthimin e komanduar do ta përdorim rregullisht, pasi në shumë rase mjetet e rënda nuk mund të futen për të punuar sepse objekti që duhet shembur rrethohet nga të tjerë. Në këto kushte, do të veprojmë me shpërthim të komanduar. Ndërsa në zonat ku mjetet e rënda kanë hapësirë për të vepruar nuk do të jetë e nevojshme”, thanë burime nga IKMT-ja.

Teksa mesditën e djeshme u prish me eksploziv të kontrolluar ndërtesa 6-katëshe, e njohur si hotel “Gostivari” në zonën e Plazhit, vijon puna për prishjen e të tjera banesave të konstatuara të pabanueshme, apo që rrezikojnë të tjera ndërtesa. Mësohet se është në proces prishjeje hotel “Lubjana”, po në Lagjen 13 të qytetit të Durrësit; një godinë banimi 5-katëshe e shtetasit Shkëmbor Tila në Lagjen 18; një banesë 4-katëshe e shtetasit Veri Kaja, Lagjja 18; banesa 5- katëshe e Shendet Koromanit, Lagjja 16; ndërtesa e D.Hushit, ndërtesa e Agim Domit, banesa e Alush Qolit në Lagjen 14, Shkozet; banesa e Ismail Cunit në Lagjen 14, Shkozet; si dhe banesa e Sulbije Bicit në Lagjen 14, Shkozet./panorama.al


TË NGJASHME