HomePolitikë

Ndryshimet në Kodin Penal/ Zbardhet drafti i deputetëve të PS

Rritja e rasteve të dhunës në Parlament, e dhunës ndaj punonjësve të Policisë gjatë protestave të opozitës, ndaj mjekëve në shërbimin spitalor, por dhe në fushat e futbollit, detyruan një grup deputetësh socialistë të propozojnë ashpërsimin e disa neneve të Kodit Penal.

Ndryshimet në Kodin Penal do të kërkojnë 84 vota në Parlament, ndërkohë që me përbërjen e re të Parlamentit socialistët garantojnë miratimin e ndryshimeve. Projektligji u hartua nga një grup deputetësh të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

“Domosdoshmëria për amendimet në Kodin Penal për disa çështje, si prishja e qetësisë dhe rendit (goditja e policit), dhuna në shëndetësi, dhuna në aktivitete sportive, dhuna ndaj funksionarëve publikë apo të zgjedhurve ka lindur referuar ngjarjeve të muajve të fundit, ku incidentet e dhunës kundër mjekëve, ato në ndeshjet sportive, goditja ndaj policit apo veprat e dhunës kundër deputetëve e të zgjedhurve të tjerë kanë qënë të shpeshta.

Parashikimet aktuale në Kodin Penal, rezulton se nuk garantojnë parandalimin për veprimet e dhunës. Dispozitat përkatëse në Kodin Penal për dënimin e këtyre fenomeneve ose kanë mangësi, ose sanksionojnë dënime të lehta ose nuk ekzistojnë.

Me qëllim dënimin e çdo veprimi dhune dhe parandalimin e dhunës në shoqëri, propozohet ashpërsimi i dënimeve për veprat e dhunës ndaj policit, mjekut, sportistit, arbitrit, ndërmjetësit dhe trajnerit, funksionarëve publikë dhe të zgjedhurve, apo atyre që shërbejnë në shërbimin publik si dhe përfshirja e veprave të reja penale për adresimin e duhur të çështjeve të dhunës si akte, që ngarkojnë me përgjegjësi penale.

Nevoja për ndryshime në Kodin Penal mbi çështjet për mbrojtjen e të drejtës së autorit vjen si pasojë e debatit të gjerë publik për rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë kundër kopjimeve apo përdorimeve të padrejta të veprave të të tjerëve”, thuhet në relacionin e propozuesve të këtyre ndryshimeve. Ndryshimet që propozohen për ashpërsimin e dënimeve në veprimtarinë e lojërave të fatit janë pasojë e legjislacionit të ri në vend për ndalimin e veprimtarisë së lojërave të fatit dhe bixhozit.

Projektligji propozon dhe dekriminalizimin e gabimit mjekësor në rastet kur pasoja nuk vjen si rezultat i neglizhencës së mjekut. Këto ndryshime synojnë të përmirësojnë klimën, në të cilën profesionistët e shëndetit kryejnë detyrën e tyre dhe përmbushin misionin e tyre.

“Dispozita ekzistuese e Kodit Penal gjatë zbatimit të praktikës gjyqësore ka sjellë gjithmonë e në rritje vështirësi për profesionistët e shëndetit të kryejnë detyrat tyre. Kjo ka sjellë edhe zhvillimin e praktikave të ashtuquajtura të ‘mjekësisë difensive’. Megjithatë, për rastet kur dëmet e ndjeshme mbi shëndetin e pacientit vijnë si rezultat i mashtrimeve apo veprimeve të paligjshme, propozohen ndëshkime në raport të drejtë me dëmin e shkaktuar”, thuhet në relacion.


TË NGJASHME