HomeSociale

Në burg, për grabitjen me armë të kushëririt të tij…

Një 41-vjeçar i dënuar për grabitje ka tentuar vetëvrasjen në Burgun e FushëKrujës, duke i vënë flakën qelisë, pasi e kishin çuar në izolim.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës dhe, fatmirësisht, ndërhyrja në kohë e gardianëve ka bërë që gjithçka të mbyllej pa pasoja. Autori i zjarrvënies është Dragut Skana nga Fushë Lura e Dibrës, i dënuar me 20 vjet burg. I burgosuri i ka vënë flakën qelisë në shenje proteste, pasi është mbajtur për një kohë të gjatë nëpër dhomat e izolimit me justifikimin se është i pabindur.

Mësohet se qelia e izolimit është djegur tërësisht, por i burgosuri ka shpëtuar nga flakët. Një ngjarje e tillë, madje nga i njëjti personazh, është regjistruar edhe 8 vite më parë në Burgun e Shënkollit në Lezhë. Madje, në ngjarjen e vitit 2011, Dragut Skana tentoi të digjte edhe shokun e qelisë. Edhe në atë rast, zjarrin e vuri në shenjë proteste, pasi nuk po merrej parasysh kërkesa e tij.

Dragut Skana, në qelinë ku po vuan dënimin
Dragut Skana, në qelinë ku po vuan dënimin

Ai kishte kërkuar vazhdimisht që të përfitonte ulje dënimi, madje kishte nisur edhe shkresa për të përfituar nga amnistia, të cilat i ishin refuzuar. Skana po vuan dënimin prej 20 vitesh burgim, i dënuar që prej vitit 2005. Ai ka kaluar më shumë se 14 vite në burgje të ndryshme dhe po të llogaritej vetëm dënimi i parë, për pak kohë mund të fitonte lirinë.

Ai është dënuar për grabitjen me armë të kushëririt të tij në Tiranë, ngjarje të cilën e ka kryer në bashkëpunim me një shtetas tjetër. Por, pas ngjarjes në Burgun e Shënkollit, mori edhe një dënim shtesë, që mund ta marrë edhe pas ngjarjes në Burgun e FushëKrujës.

ZJARRI NE BURGUN E SHENKOLLIT

Më 3 qershor të vitit 2011, Policia e Shtetit njoftoi se një i dënuar kishte tentuar të digjte shokun e tij në dhomën e burgut, ndërsa ndërhyrja e Policisë së Burgut shmangu ngjarjen. Dragut Skana, i dënuar me 20 vite burg për grabitje dhe vrasje të mbetur në tentativë, i vuri flakë dyshekut të tij dhe bashkëvuajtësit të qelisë. Më pas, shokun e qelisë e hodhi në mes të flakëve, duke tentuar ta vriste.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:35 në burgun e Shënkollit në Lezhë. Sipas Policisë, Skana, veç dy akuzave të mësipërme, do të përballet edhe me dy vepra të tjera penale, atë të “tentativës së vrasjes” dhe “dëmtim prone”. Burime të Prokurorisë së Lezhës thanë në atë kohë se i dënuari Dragut Skana kishte tentuar të digjte në qeli 24-vjeçarin Elvis Shimçani, i cili ndodhej në të njëjtën dhomë me Skanën.

Ai kishte vendosur te dera e qelisë dyshekun e tij dhe të shokut të dhomës dhe më pas u ka vënë flakën. Në momentin që dy policët e shërbimit kanë vënë re tymin, kanë ndërhyrë, ndërkohë që Skana, për të mos lejuar ndërhyrjen e tyre, ka hedhur mbi dyshekët, që ishin përfshirë nga flakët, 24-vjeçarin Elvis Shimçani.

Ndërhyrja e dy punonjësve të Policisë ka shmangur edhe ngjarjen e rëndë në burg. Nga kjo ngjarje, shoku i dhomës së autorit mori plagë të rënda dhe u dërgua me urgjencë në drejtim të QSUT-së në Tiranë, ku mori mjekimin e nevojshëm nën survejimin e Policisë.

Skana, i dënuar për grabitjen me armë të kushëririt të tij

Personi që tentoi të digjte veten në Burgun e Fushë-Krujës, duke i vënë flakën qelisë ku ishte izoluar, ndodhet në burg që prej 14 vitesh. Ai është dënuar në vitin 2005 për “vjedhje me armë” e kryer në bashkëpunim dhe “vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.

Dragut Skana është dënuar për grabitjen e kushëririt të tij. Më 20 korrik të vitit 2005, gjatë pretencës, Prokuroria kërkoi 20 vjet burg. Në konkluzionet përfundimtare, prokurori Petrit Fusha ka kërkuar shpalljen fajtor të Dragut Skanës, në atë kohë 27 vjeç. Prova më e fortë e akuzës në këtë proces ka qenë dëshmia e vetë të dëmtuarit Avdi Skana. Një vit para se të dënohej autori, më 1 shtator të vitit 2004, dëshmitari ishte goditur me sende të forta nga dy persona, njërin prej të cilëve nuk e kishte njohur.

Dy agresorët kishin qenë me maska, por i dëmtuari kishte arritur të njihte kushëririn e vet nga zëri. Hetimet nuk kishin nxjerrë asnjë provë tjetër që të vërtetonin praninë në vendngjarje të të pandehurit, që sapo ishte kthyer nga një emigracion i gjatë. Ndërkohë, grabitësi tjetër nuk ishte identifikuar ende.

“E njoha Dragutin vetëm nga zëri. Kur unë e kapa, pasi më goditën, ai bërtiti. Ky ishte momenti kur unë i thashë: Ti je Draguti, për këtë nuk kam pikë dyshimi”, ka pohuar në Gjykatë Avdi Skana. Gjatë kohës që të maskuarit po e keqtrajtonin, Avdiu, sipas fjalëve të tij, e kishte kapur për mesi kushëririn e ardhur nga Italia dhe ky i fundit kishte bërtitur nga dhimbjet./panorama


TË NGJASHME